Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar sot, 7 nëntor, kërkesë zyrtare për marrjen e masës disiplinore ndaj kryedemokratit Sali Berisha, pas deklaratave publike të bëra në seancën plenare të 6 nëntorit 2025.
Sipas socialistëve, Berisha u shpreh në mënyrë fyese dhe denigruese ndaj Ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Në kërkesën drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, grupi socialist vlerëson se veprimet e Berishës cenojnë jo vetëm dinjitetin personal të përfaqësuesit diplomatik, por edhe imazhin institucional të Kuvendit të Shqipërisë, duke shkelur parimet e etikës parlamentare të përcaktuara në Kodin e Sjelljes dhe në Rregulloren e Kuvendit.
Ata kërkojnë që Berisha të përjashtohet nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë.
Kerkesa-per-perjashtim-Sali-Berisha-1
Kujtojmë se dje, 6 nëntor, u debatua mbi 12 orë në Kuvend, veçanërisht për Projektligjin e Barazisë Gjinore, i cili u miratua me 77 votat e mazhorancës.
Berisha e kundërshtoi ashpër këtë ligj, duke thnënë me bindje se “godet familjen” dhe “se nuk ka lidhje me direktivat e Bashkimit Evropian”. Nisur nga këto argumente, ai i bëri thirrje nga foltorja ambasadorit Gonzato, të shpjegonte se ku janë ato direktiva si bazë për ndryshimet në atë ligj.
“Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit, i kërkoj të nderuarit të nxjerë se cila direktivë e BE-së e kërkon një gjë të tillë. Cila direktivë u thotë shqiptarëve këtë gjë? Ky ligj nuk ekziston në 21 vende anëtare të BE-së, është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në 2016-ën, de-facto u mohon prindërve të drejtën e edukimit të tyre, me dhuntinë që u ka dhënë Zoti, vajzë dhe djalë! Ky ligj gjobit udhëheqësit fetarë e shpirtërorë.
De-facto në shoqërinë post-marksiste të shtetit post-marksist godet familjen të bazuar në binaritetin biologjik!”, u shpreh kreu i PD-së.
Që në seancë, kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, kërkoi përjashtimin e kryedemokratit me 30 ditë nga Kuvendi. Por Berisha tha në përgjigjen e tij se nuk ka bërë asnjë fyerje dhe ka shprehur mendimin dhe bindjet e tij.
“Kam kërkuar nga ky parlament dhe jashtë këtij parlamenti nga ambasadori të na tregojë cilën direktivë sepse ai ka mbështetur këtë ligj dhe zonja Marta Kos deklaron se ai ka mbajtur qëndrimin e BE. Cila direktivë e BE-së përdor terminologjinë e përkatësisë së shumëfishtë gjinore?”, tha ai.
Madje, kërkoi falje në rast se deklaratat e tij janë konsideruar si fyerje


