Demo: Autonomia e pushtetit vendor merr kuptim me kapacitetet për të gjeneruar të ardhura

Mos i humb

Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, e cilësoi si një ditë të rëndësishme për bashkitë takimin e zhvilluar sot në Tiranë, gjatë lançimit të reformës së taksës dhe pasurisë së paluajtshme në Shqipëri.

Reforma synon të krijojë një sistem modern dhe të unifikuar të taksimit të pronës, të bazuar në vlerën e tregut, duke forcuar njëkohësisht rolin e bashkive në mbledhjen e të ardhurave.

Demo u shpreh se ky proces ka qenë një rrugëtim i gjatë dhe falënderoi partneritetin suedez dhe Ministrinë e Financave për drejtimin e reformës, e cila pritet të zbatohet në vitin 2026. Sipas tij, kjo reformë e afron Shqipërinë me standardet e Bashkimit Europian.

Ai vuri në dukje se bashkitë luajnë një rol kryesor në gjenerimin e të ardhurave, duke garantuar financa të qëndrueshme dhe më shumë shërbime për qytetarët.

Ministri theksoi se autonomia e pushtetit vendor nuk mund të kuptohet pa fuqizimin e kapaciteteve për të gjeneruar të ardhura, dhe në këtë drejtim taksës së pasurisë i jepet përparësi.

Sipas tij, kryetarët e bashkive e kanë mirëpritur këtë nismë si një mundësi për të rritur potencialin financiar të njësive vendore.

“Buxheti 2026 reflekton rritje të të ardhurave nga zbatimi i taksës së pronësisë dhe këto të ardhura do të shkojnë për më shumë shërbime ndaj qytetarëve, duke ndërtuar një sistem transparent dhe korrekt”, tha Demo.

Ai theksoi se sistemi i ri do të sigurojë trajtim të barabartë të qytetarëve, pavarësisht madhësisë së bashkisë ku jetojnë.

Demo nënvizoi se një nga shtyllat e pushtetit vendor mbetet qëndrueshmëria financiare, e cila do të mbështetet nga disa iniciativa të rëndësishme të vitit 2026: Taksimi i ri i pasurisë,
Reforma territoriale, Digjitalizimi i shërbimeve vendore.

Ministri shprehu bindjen se harta e re territoriale dhe sistemi i ri i taksimit do të ofrojnë më shumë shërbime dhe efikasitet për qytetarët, ndërsa bashkitë do të kenë më shumë kapacitete për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm financiar në territoret e tyre.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit