Masivizimi i doktorantëve, si në publik edhe në privat është bërë shkak për bllokimin 4-vjeçar të kuotave të reja për këtë cikël studimi nga ana Ministrisë së Arsimit.
Kështu deklaron zv.ministri i Arsimit të Lartë, Ervin Demo, që thotë se regjistrimet e reja për doktoraturat nisin brenda këtyre ditëve.
“Ka dalë udhëzimi për procedurat që duhet të ndjekin universitetet që kanë mundësi të ofrojnë programe të ciklit të tretë, se çfarë hapash duhet të ndjekin. universitetetet duhet të bëjnë aplikimet për programet e doktoraturës. për çështje ditësh apo javësh del edhe vkm për standardet kombëtare për përfitimin e një grade shkencore, apo një titulli akademik si profesor i asociuar, apo profesor doktor”, thotë Demo.
Por, a ka universitete private që kanë ofruar studime për doktoraturë nga viti 2013 dhe në vazhdim?
“Nuk ka pasur kuota të reja për doktoratura, kanë qenë 10 që janë dhënë por jo si kuota por në kuadër të programeve ndërkombëtare të vetë institucioneve të arsimit të lartë”, sqaron Demo.
Zv.ministri Demo thotë se me ligjin e ri të arsimit të lartë, studimet e doktoraturës integrohen me kërkimin shkencor duke sjellë ndryshime rrënjësore në sistem, si kudo në botë.
“Doktoratura do të jetë full time, doktorantët do të jenë të atashuar si çdo universitet në botë pranë fakulteteit ku janë regjistruar. Standardi do jetë kombëtar, tavani i numrit për pedagog do jetë standard kombëtar”, deklaroi zv.ministri.
Ligji i arsimit të lartë ka shfuqizuar komisionet shtetërore brenda instititucioneve. Në momentin që del vendimi i Qeverisë, kuotat janë të lidhura me numri e doktorantëve që udhëheq një profesor apo profesor i asociuar.
Parashikohet që që nr i doktorantëve të jetë 5 për profesorin dhe 2 për profesorin e asociuar dhe nr i kuotave maksimale të llogaritet mbi strukturën e vetë fakultetit: profesor /profesor i asociaur shumëzuar me nr e doktorantëve që ka. Ndërsa fondet do ti përfitojnë vetëm universitetet që plotësojnë standardet cilësore dhe kapacitetet fizike si në publik dhe në privat./Top Channel/