Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, zhvilloi më 14 dhjetor negociata mbi një plan 20-pikësh për paqen, me përfaqësues amerikanë në Berlin, që zgjatën më shumë se 5 orë. Zyrtarët thanë se bisedimet do të vazhdojnë edhe më 15 dhjetor, kur Zelensky do të takohet me liderët e Gjermanisë, Britanisë dhe Francës.
Qëllimi kryesor është përfundimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, konflikti më i përgjakshëm në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Para nisjes së takimeve, Zelensky sugjeroi mundësinë e heqjes dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO, në këmbim të garancive perëndimore të sigurisë, të cilat do të jenë ligjërisht të detyrueshme. Ai theksoi se çdo kompromis është i vështirë, pasi anëtarësimi në NATO është pjesë e Kushtetutës ukrainase.
Moska i ka nënvlerësuar bisedimet, duke vazhduar të kundërshtojë çdo ndryshim mbi çështjet territoriale dhe garancitë e sigurisë. Ndërkohë, SHBA-të kanë propozuar një plan paqeje prej 28 pikash, i modifikuar tani në 20 pika, por detajet nuk janë publikuar.
Ndërsa diplomacia vazhdon, konflikti nuk ndalet: sulmet ruse me dron dhe raketa vazhdojnë, duke goditur qytete dhe infrastruktura kritike në Ukrainë.
Vetëm këtë javë, Zelensky raportoi mbi 1 500 dronë dhe 46 raketa të përdorura nga Rusia.
Shtabi i Përgjithshëm ukrainas njoftoi gjithashtu sulme ndaj depozite nafte në rajonin Volgograd dhe Krasnodar.
Lufta, që nisi më 24 shkurt 2022, ka shkaktuar mijëra viktima dhe miliona të zhvendosur, ndërsa Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra ndaj Moskës.
Putin e quan këtë konflikt “operacion special ushtarak” për çmilitarizimin e Ukrainës.


