Qielli mbi Mbretërinë e Bashkuar u mbulua me ngjyrat e gjelbër dhe rozë të Dritave Veriore gjatë mbrëmjes së të hënës.
Ky fenomen natyror, i njohur si Aurora Borealis, ndodh si pasojë e shpërthimeve diellore që dërgojnë grimca drejt Tokës dhe që ndërveprojnë me grimcat në atmosferë.
Normalisht, Dritat Veriore shihen kryesisht pranë Rrethit Arktik, por gjatë periudhave me aktivitet të lartë diellor ato mund të shfaqen edhe në zona të tjera.
Fotot e dërguara te BBC tregojnë pamje mahnitëse të këtij fenomeni që u shfaq të hënën në mbrëmje në Skoci, Irlandën Veriore dhe Uells, si dhe në disa pjesë të jugperëndimit, jugut, lindjes dhe veriut të Anglisë. Zyrtarët e Met Office njoftuan se aurorat ishin të dukshme në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, me raportime që arrinin deri në veri të Italisë.
Sipas tyre, aktiviteti pritet të ulet, por Dritat Veriore mund të jenë ende të dukshme në disa zona të Skocisë dhe Irlandës Veriore gjatë së martës.
Aurora e mrekullueshme e së hënës shkaktohej nga një stuhi e fortë gjeomagnetike, e krijuar nga një shpërthim masiv koronal (CME), valë grimcash të ngarkuara që shpërthejnë nga sipërfaqja e Diellit.
Kur afrohen drejt Tokës, këto grimca ndërveprojnë me gazrat e atmosferës, duke krijuar ngjyrat që shohim në qiellin e natës: atomet e oksigjenit shkëlqejnë me të gjelbër, ndërsa azoti me të kuqe, blu dhe rozë.
Aktualisht, Dielli ndodhet në një periudhë me aktivitet të lartë diellor, të quajtur maksimum diellor, brenda ciklit 21-vjeçar të tij. Në këtë periudhë, Dielli ka më shumë njolla diellore që lëshojnë CME dhe shpërthime diellore, valë të rrezatimit elektromagnetik dhe për këtë arsye shohim më shumë aurora në Tokë.
Stuhitë gjeomagnetike dhe shpërthimet diellore janë të padëmshme për njerëzit, pasi atmosfera jonë na mbron nga rrezatimi, por mund të ndikojnë në teknologjinë moderne.
Aurorat shihen më mirë nën qiell të pastër. Shikoni nga veriu për një ndriçim të zbehtë fillimisht, dhe nëse nuk shihni ngjyrat, mund t’i kapni përmes një lenteje kamere ose telefoni.


