Policia Kufitare Kakavijë njoftoi sërish sot, 4 dhjetor, se autoritetet greke kanë paralajmëruar bllokimin e përkohshëm të aksit rrugor Kakavijë-Janinë nga ora 19:00 deri në 22:00 (me orën greke, 18:00-21:00 me orën tonë).
Policia Kufitare Kakavijë njoftoi sot qytetarët mbi këtë bllokim, ndërsa bëri të ditur se do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.
“Nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në fshatin Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët”, njoftoi policia.
Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.


