GJËRAT QË E PRISHIN AGJËRIMIN

Mos i humb

LLOJET E GJËRAVE QË E PRISHIN AGJËRIMIN

Njëri lloj i gjërave që e prishin agjërimin është ai i zbrazjes, si marrëdhëniet[1], vjellja me qëllim[2] menstruacionet ose lehonia te gratë dhe bërja e hixhames.

Ndërsa lloji tjetër është ai i mbushjes, si ushqimi dhe pija.[3]

GJËRAT QË NUK E PRISHIN AGJËRIMIN

Janë:

Enema për pastrimin e zorrëve[4], pikat për syrin, pikat për veshin dhe inhalatori për astmën.

Marrja e gjakut për analiza, gjakderdhja nga hunda, gjaku që del nga nxjerrja e dhëmbit, apo plaga.

Vjellja që del vetë pa qëllim (pa e nxitur apo futur gishtin për të vjellë).

Shpërlarja e gojës me kusht që uji (apo ilaçi) të mos arrijë deri në fyt.

Pomada dhe leukoplasti (fashat ngjitëse) për mjekim.

Gëlltitja e pështymës, e pluhurit të rrugës dhe nuhatja e erërave.

Rregullimi i dhëmbit, nxjerrja e dhëmbit, pastrimi i dhëmbëve, përdorimi i misvakut pa aroma artificiale, përdorimi i brushës dhe pastës për dhëmbë, shpërlarja e gojës, ilaçet që përdoren për shpërlarjen e gojës, inhalatori që vendoset në gojë, shijimi i ushqimit nëse ka nevojë; të gjitha këto nuk e prishin agjërimin përderisa nuk arrijnë deri në fyt.

Injeksionet që nuk janë ushqyese si penicilina dhe insulina, injeksioni i narkozës, vaksina, injektimi i kontrastit që jepet nëpërmjet muskujve apo venave për imazhe grafike të trupit, gastroskopia e lukthit (me kusht që tubit të mos i vendosen preparate ushqyese si yndyrë dhe lëngje), supozitorët vaginalë, supozitorët që futen në zorrën e trashë, endoskopia gjinekologjike (futja e endoskopit në mitrën e gruas) dhe vendosja e spirales.

PËRDORIMI I SYRMËS PËR AGJËRUESIN

Syrma (lyerja e syve me bojë për qepalla) nuk e prish agjërimin sipas mendimit më të saktë të dijetarëve. Megjithatë, përdorimi i saj natën është më mirë për agjëruesin. Po ashtu, lejohet përdorimi i sapunit dhe kremrave për zbukurimin e fytyrës dhe të lëkurës, si këna, kozmetika etj. Nëse kozmetika është e dëmshme për fytyrën, më mirë është të mos përdoret.[5]

LENTE KONTAKTI (THJERRËZA)

Agjëruesit i lejohet të përdorë lente kontakti për sy, po ashtu i lejohet ta përdorë ujin për thjerrëzat që pikohet në sy, sepse është i njëjtë me pikat për sy dhe ato nuk e prishin agjërimin, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve.

Ibn Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk është problem që agjëruesi të përdorë pika për sy apo për vesh, edhe nëse e ndien shijen e pikave në fytin e tij. Ato nuk e prishin agjërimin, sepse nuk konsiderohen ushqim dhe pije, madje as nuk i ngjasojnë ushqimit apo pijes.”[6]

PËRDORIMI I ZBUTËSVE PËR BUZË

Zbutësit e buzëve dhe të hundës si kremrat dhe të ngjashmet me to, lejohen të përdoren gjatë agjërimit. Po ashtu, lejohet që buzët të lagen dhe të zbuten me ujë, mirëpo duhet pasur kujdes që uji mos të arrijë deri në lukth. E, nëse uji shkon brenda pa qëllim, agjërimi është në rregull dhe nuk prishet. Njëjtë vlen edhe për shpërlarjen e gojës, nëse uji shkon deri në lukth pa qëllim, agjërimi nuk prishet.[7]

PËRDORIMI I MISVAKUT GJATË AGJËRIMIT

Përdorimi i misvakut gjatë tërë ditës është prej sunetit dhe për këtë ka shumë argumente. Me përdorimin e misvakut agjëruesi nuk e humb shpërblimin e erës që del nga goja e agjëruesit, misvaku nuk e largon atë erë, sepse ajo vjen nga lukthi e jo nga goja. Agjëruesi duhet pasur kujdes nga përdorimi i misvakut me aroma artificiale si me shije limoni dhe nenexhiku, sepse ato janë shtojca që mund të arrijnë deri në fyt dhe e prishin agjërimin.

NGA FIKHU (KUPTIMI I THELLË I FESË) I MUADHIT h

I thanë Muadh ibn Xhebelit h: “Nuk po u pëlqen njerëzve që agjëruesi ta përdorë misvakun gjatë pasdites. Po thonë ‘era që del nga goja e agjëruesit është më e mirë tek Allahu se era e miskut’.”

Muadhi h tha: “Subhanallah (i lavdëruar qoftë Allahu)! Po Pejgamberi ﷺ i urdhëroi ta përdorin misvakun, ai e ka ditur që nga goja e agjëruesit patjetër do të dalë erë, edhe nëse e përdor misvakun. Ndërsa ata që urdhërojnë të mos përdoret misvaku që qëllimshëm të dalë erë nga goja, në fjalët e tyre nuk ka gjë të mirë, ka veç sherr.”[8]

Ndërsa hadithi: “Po qe se agjëroni, përdoreni misvakun gjatë ditës dhe mos e përdorni atë gjatë natës”, është i dobët.[9]

SHIJIMI I USHQIMIT

Nëse ka nevojë, nuk është problem për agjëruesen ta shijojë ushqimin, (duke e provuar atë me majë të gjuhës) e, pasi e provon, e nxjerr nga goja dhe nuk gëlltit diçka nga ushqimi.

El-Hasan el-Basrij, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Nuk ka pengesë që agjëruesi të shijojë mjaltin, gjalpin etj., e pastaj ta nxjerrë nga goja.”[10]

Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk pëlqehet agjëruesi ta shijojë ushqimin pa pasur nevojë.”[11]

Në fetvanë e Komisionit të Përhershëm të Fetvave citohet: “Agjëruesi, në esencë, nuk duhet ta provojë ushqimin, përveç nëse ka nevojë.”[12]

NUHATJA E ERËRAVE

Agjëruesit i lejohet nuhatja e erërave të mira, apo parfumit etj., mirëpo nuk i lejohet thithja me hundë e erëzave dhe as e avullit që del nga ushqimi, sepse mund të përmbajnë materie që mund të depërtojnë deri në lukth e kështu ta prishë agjërimin apo ta pakësojë shpërblimin e tij. Në këso rastesh, agjëruesi le ta kujtojë hadithin kudsij ku lavdërohet agjëruesi: “Ai e ka braktisur epshin e tij, ushqimin dhe pijen e tij për hir Timin.”[13]

AGJËRIMI I ATIJ QË BËHET XHUNUB

Nëse hyn koha e agimit dhe agjëruesi është xhunub, agjërimi i tij është në rregull. Lejohet të vonohet pastrimi nga xhunubllëku, menstruacionet dhe lehonia deri pas lindjes së agimit (hyrja e kohës së sabahut), megjithëkëtë më mirë është të nxitojë të pastrohet për shkak të faljes së namazit në kohën e vet. Nëse bëhet xhunub në gjumë, agjërimi nuk prishet, në krahasim me atë i cili masturbon gjatë ditës, ai e prish agjërimin, sepse masturbimi[14] gjatë ditës e prish agjërimin.

DALJA E LËNGUT MEDHIJ DHE VEDIJ

 

Dalja e lëngut medhij (paraspermal)[15] nuk e prish agjërimin, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, sepse, në esencë, nuk llogaritet nga gjërat që e prishin agjërimin dhe vështirë është të ruhesh që të mos dalë.[16]

Ndërsa vedij është ujë i ngjitshëm i trashë i cili del pas urinimit dhe nuk del shkaku i kënaqësisë apo epshit. Ky lëng nuk e prish agjërimin dhe nuk e detyron pastrimin (e plotë të trupit), por ajo që detyrohet është të pastrohet organi dhe të merret abdes.[17]

GJËRAT QË E PRISHIN AGJËRIMIN

– Prej gjërave që e prishin agjërimin janë:

Ngrënia dhe pirja me qëllim dhe çdo gjë tjetër që është në kuptim të ushqimit dhe pijes, si: marrja e injeksioneve ushqyese, të cilat përdoren si zëvendësim për ushqimin dhe pijen[18], transfuzioni i gjakut në trupin e agjëruesit dhe dializa.

Marrëdhëniet intime, pavarësisht a ejakulon apo jo, po ashtu masturbimi duke e nxjerrë spermën me qëllim.

Bërja e hixhames dhe donacioni (dhurimi) i gjakut.[19]

Vjellja me qëllim.

Çdo gjë që depërton deri në fyt me qëllim, qoftë edhe nëpërmjet hundës si pikat e hundës.

Avulli i cili kondensohet dhe depërton në fyt.

– Me rëndësi është të dihet se:

Agjëruesit nuk i prishet agjërimi i tij, përderisa nuk plotësohen tri kushte:

Të ketë dijeni për dispozitën (i padituri për dispozitën nuk bën pjesë këtu).

Ta bëjë me vetëdije (dhe jo me harresë).

Ta bëjë me dëshirë (dhe të mos i imponohet).

DALJA E GJAKUT PREJ AGJËRUESIT

Dalja e gjakut me hixhame e prish agjërimin duke u mbështetur në hadithin: “E ka prishur agjërimin ai që e ekzekuton hixhamen (mjeku) dhe atij që i bëhet hixhamja.”[20]

Dhënia e gjakut me vetëdëshirë në sasi të madhe, si në rastin e donacionit të gjakut, e prish agjërimin. Në raste specifike dhe të domosdoshme kur duhet të dhurohet gjak, agjëruesi e prish agjërimin dhe e kompenson atë ditë pas Ramazanit.

Ajo që del nga gjaku pa dëshirën e njeriut si gjakderdhja nga hunda, gjaku nga plaga e shkaktuar me thikë apo gjaku gjatë aksidenteve, nuk e prish agjërimin, edhe nëse del në sasi të madhe.

Gjaku që del në sasi të vogël sikur që merret për analiza të gjakut, nuk e prish agjërimin.[21]

DIALIZA E VESHKËVE

Me dializë nënkuptojmë procesin e daljes së gjakut jashtë trupit, i cili pastrohet dhe po kështu kthehet në trup, duke iu shtuar disa substanca ushqyese në gjak. Për këtë shkak, dializa llogaritet nga gjërat që e prishin agjërimin.[22] Ato ditë që i sëmuri shkon në dializë, e prish agjërimin dhe ato pastaj i kompenson pas Ramazanit (kur të jetë më lehtë për të).

O ti që je i sprovuar me dializë! Duro gjatë kësaj sprove. Ndërsa, o ti që je i shëndoshë, falënderoje Allahun për shëndetin që e posedon!

NDËRPRERJA E AGJËRIMIT

Kush e nis agjërimin e pastaj dëshiron ta prishë atë, duhet ta dijë se:

Nëse agjërimi i tij është vullnetar si gjashtë ditët e Shevalit, nuk është problem nëse e prish. Pejgamberi ﷺ thotë: “Agjëruesi që agjëron vullnetarisht është udhëheqës i vetes, nëse do, agjëron e, nëse nuk do, e prish.”[23]

A, nëse agjërimi i tij është farz si kompensimi i Ramazanit, apo agjërim për zotimin e bërë, apo agjërim për shpagim; në këto raste nuk lejohet ta prishë, përveç nëse ka arsye të shëndoshë si sëmundja etj. E, nëse e prish pa arsye, atëherë obligohet ta kompensojë atë ditë dhe prej tij kërkohet të pendohet (sepse ka bërë gjynah).[24]

Dr. Muhamed el Munexhidi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit