Hoti: Jemi në rrugën e duhur për menaxhimin e pandemisë, po përgatitemi për fazën e re

Mos i humb

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kanë premtuar ristrukturim në sistemin shëndetësor.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë një vizite në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), kanë premtuar ristrukturim në sistemin e shëndetësisë kosovare.

Hoti në fjalën e tij tha se ky do të jetë një ristrukturim që nuk ka ndodhur në 30 vitet e fundit në shëndetësinë kosovare.

“Kjo është situata që po përballemi në këtë pandemi që të hyjmë në plane afatgjate të ristrukturimit komplet të institucioneve shëndetësore edhe sa i përket kapaciteteve fizike. Do të ndodhë ristrukturimi në sistemin e shëndetësisë, një ristrukturim që ndoshta nuk ka ndodhur në 30 vitet e fundit. Kjo është mundësia që ju dhe ne të bëjmë këtë ristrukturim. Në kuadër të një plani të investimeve e kemi futur edhe pjesën e shëndetësisë për të krijuar një hapësirë në buxhet në kredi shtetërore që marrim si shtet në mënyrë që të shtojmë kapacitete të tjera të nevojshme”, ka deklaruar Hoti.

Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se prioritet në sistemin shëndetësor është edhe përgjegjësia dhe llogaridhënia. Sipas tij, të gjithë do të japin përgjegjësi për punën që bëjnë.

Ai ka thënë po ashtu se nuk do të lejohet që për shkak të papërgjegjësive dhe neglizhencës, Kosova të futet në numrin e viktimave në rajon.

“Kërkesat tona të jenë të qarta për avancimin e sistemit shëndetësor. Këtë përgjegjësi dhe llogaridhënie do ta ngrisim në gjithë vendin. Ky është interes i të gjithëve, andaj ta shfrytëzojmë këtë rast që bashkërisht që të japim inputet më të rëndësishme dhe të kemi një vlerësim real që po kalojmë bashkërisht. Në ngritjen e kapaciteteve ne kemi avancuar në gjëra konkrete. Në kuadër të kësaj tash do të kemi edhe një dinamikë tjetër, atë të matjes së performancës, duke filluar nga ministria. Nuk do të lejojmë që për shkak të neglizhencës numri i viktimave të jetë statistikë në rajon”, deklaroi Zemaj.

Ndërkaq sa i përket pandemisë dhe situatës që po përballet Kosova por edhe vala e dytë e cila ka filluar të shfaqet në Evropë, kryeministri Hoti, tha se Kosova është në rrugë të duhur për menaxhimin e pandemisë.

“Rënia e rasteve na ka dhënë një qetësi shpirtërore dhe ju përgëzoj për punën. Po hyjmë në fazën e vjeshtës dhe besoj që jemi në rrugë të duhur për menaxhimin e pandemisë, objekti duhet të bëhet gati për vjeshtë të nis vaksinimi i rregullt që të jemi një mbrojtje për grupeve të rrezikuara. Para dy muajve 30 deri 40 për qind nuk e besonin që virusi ekziston, por tash kemi një situate tjetër. Në kuadër të një plani të investimeve e kemi fut edhe shëndetësinë i kemi marr disa inpute për të krijuar një buxhet që të rrisim kapacitetet shëndetësore”, ka thënë ai.

Hoti po ashtu ka thënë se pret që shumë shpejt të fillojë edhe vaksinimi për fëmijët, të moshuarit dhe grupet e tjera të rrezikuara.

“Shpresoj që shumë shpejt të fillojë vaksinimi në vjeshtë për fëmijët, të moshuarit, e grupet e tjera më të rrezikuara”, deklaroi Hoti.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit