Hyjnë në fuqi tarifat e Trump për drurin dhe mobiliet, preken dhe tregtarët e Kosovës

Mos i humb

Tarifat e reja të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, mbi drurin e importuar dhe mobiliet hynë në fuqi të martën. Ky zhvillim pritet të rrisë kostot e ndërtimit në një treg që tashmë është sfidues për shumë blerës.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, detyrimet doganore u vendosën për të forcuar industrinë amerikane dhe për të mbrojtur sigurinë kombëtare. Ato bëhen pjesë e një sërë tarifash të veçanta sektoriale që Trumpi ka vendosur që prej rikthimit të tij në presidencën amerikane.

Masat më të fundit përfshijnë një tarifë prej 10 për qind mbi importet e drurit të butë, ndërsa detyrimet mbi disa mobilie të mbështjella dhe dollapë kuzhine nisin nga 25 për qind.

Mobiliet, dyert dhe dritaret, materialet ndërtimore prej druri janë ndër eksportet kryesore të Kosovës në SHBA në vitet e fundit.

Nga 1 janari, norma për mobiliet e mbështjella të importuara pritet të ngjitet në 30 për qind, ndërsa ato për dollapët dhe tualetet e kuzhinës do të ngrihen në 50 për qind.

Megjithatë, detyrimet për produktet prej druri nga Britania nuk do të kalojnë 10 për qind, ndërsa ato nga Bashkimi Evropian dhe Japonia do të përballen me një tavan prej 15 për qind.

Të tre partnerët tregtarë kanë arritur marrëveshje me administratën Trump për të shmangur tarifa më të ashpra. Ende nuk është e qartë se çfarë tarifa do të vlejnë për Kosovën, që tashmë ka hequr tarifën doganore prej 10 për qind ndaj të gjitha produkteve të importuara nga SHBA-ja.

Por, tarifat e reja do të “krijojnë pengesa shtesë për një treg banesash tashmë të vështirë, duke rritur më tej kostot e ndërtimit dhe rinovimit”, paralajmëroi kryetari i Shoqatës Kombëtare të Ndërtuesve të Shtëpive (NAHB), Buddy Hughes.

Duke vendosur tarifat e fundit, Trump tha se Sekretari i Tregtisë kishte zbuluar se “produktet e drurit përdoren në funksione kritike të Departamentit të Luftës, përfshirë ndërtimin e infrastrukturës për testime operacionale”. Deklarata e Trumpit shtoi se prodhimi amerikan i drurit “mbetet i pazhvilluar”, duke e lënë vendin të varur nga importet.

Por, Hughes nga NAHB-ja tha se “vendosja e këtyre tarifave nën pretekstin e ‘sigurisë kombëtare’ injoron rëndësinë që ka banimi për sigurinë fizike dhe ekonomike të të gjithë amerikanëve”.

Ai bëri thirrje për një marrëveshje që “të zhbëjë tarifat mbi materialet e ndërtimit.” Edhe Kanadaja, furnizuesi kryesor i drurit për Shtetet e Bashkuara, pritet të preket.

Tarifa 10 për qind mbi drurin shtohet mbi detyrimet aktuale që SHBA-ja ia ka rritur së fundi në 35 për qind. Kjo do të thotë se veprimi më i fundit i Trumpit e çon tarifën e përgjithshme për drurin kanadez në 45 për qind.

Stephen Broën nga Capital Economics i tha AFP-së se, me 30 për qind të drurit që buron nga jashtë, një tarifë 10 për qind mund të rrisë koston e ndërtimit të një shtëpie mesatare për 2 mijë e 200 dollarë.

Broën shtoi se Kina, Vietnami dhe Meksika përbëjnë pjesën më të madhe të importeve amerikane të mobilieve. Ai pret që Vietnami të përballet me ndikimin më të madh “pasi mobiliet përbëjnë 10 për qind të eksporteve të tij drejt SHBA-së.”

Tarifat u vendosën në bazë të Nenit 232 të Aktit për Zgjerimin e Tregtisë të vitit 1962, e njëjta dispozitë që Trumpi përdori për të vendosur tarifat mbi çelikun, aluminin dhe automjetet këtë vit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit