Italia: Dera e hapur e NATO-s për Ukrainën dhe Gjeorgjinë nuk duhet mbyllur

Mos i humb

Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Luigi Di Maio, ka deklaruar se NATO nuk duhet të heq dorë nga politika e saj të dyerve të hapura dhe premtimeve ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë që një ditë këto dy vende t’i bashkohen aleancës perëndimore të mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

“NATO nuk duhet të heq dorë nga politika e dyerve të hapura dhe angazhimeve të marra në Samitin e Bukureshtit të vitit 2008 që Ukraina dhe Gjeorgjia t’i bashkohen aleancës në të ardhmen, por ne e dimë se kjo është një vijë e kuqe për Moskën. Nga ana tjetër, Kievi nuk i ka përfunduar reformat që duhej të zbatojë për të arritur anëtarësimin në NATO”, tha Di Maio.

Di Maio foli mbi krizën mes Rusisë dhe Ukrainës së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Lorenzo Guerini, në një seancë të përbashkët të Komiteteve të Jashtme dhe të Mbrojtjes pranë Dhomës së Deputetëve dhe Senatit. Ai theksoi se Italia nuk e njeh aneksimin e Krimesë dhe është në favor të integritetit territorial të Ukrainës.

Sipas tij, ka punë në Bashkimin Evropian (BE) lidhur me sulmin e mundshëm të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Ne ndër-veprojmë ngushtë me partnerët tanë për të përcaktuar një paketë masash të qëndrueshme, graduale dhe proporcionale. Ne po punojmë për një sistem të mundshëm sanksionesh”, tha ai.

Më tej, kryediplomati italian tha se “mbetet e domosdoshme që Moska të sigurojë rrjedhën e furnizimit në të gjithë Evropën”.

Njësitë detare ruse, njoftoi Di Maio, kaluan përmes një pjese të Detit Mesdhe midis Italisë, Tunizisë dhe Maltës, i njohur po ashtu si kanali sicilian, ndërsa Italia monitoroi nga afër kalimin.

Duke folur për ofertën e Turqisë për të ndërmjetësuar bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës, Di Maio tha se, “Turqia ka lidhje historike me Rusinë. Ambasadori turk kryeson misionin e vëzhgimit në Ukrainë. Ata sugjerojnë se një takim trepalësh mund të mbahet në Stamboll, por vendi i vërtetë për të zgjidhur këtë krizë është BE-ja”.

Italia do të përshëndet aktorë të tjerë, theksoi ai, por ai shpreson se Franca dhe BE-ja do ta trajtojnë këtë çështje.

Guerini, nga ana e tij, tha se rruga kryesore e ndjekur nga qeveria italiane dhe aleatët duhet të jetë këmbëngulja në dialog.

“Por në të njëjtën kohë, ne ndajmë vendosmërinë për t’i dhënë një mesazh të qartë Rusisë. Çdo agresion kundër Kievit ka pasoja të rënda”, tha ai.

Tensioni mes Ukrainës dhe Rusisë

Moska dhe Kievi janë përfshirë në konflikt që nga shpërthimi i armiqësive në rajonin lindor Donbas në vitin 2014 pasi Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë.

Rusia ka grumbulluar mijëra trupa pranë kufijve të Ukrainës, duke shkaktuar frikë se mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër ish-republikës sovjetike.

SHBA dhe aleatët e saj kanë paralajmëruar për një sulm të afërt dhe kanë kërcënuar Rusinë me “pasoja të rënda”.

Megjithatë, Moska ka mohuar se po përgatitet të pushtojë Ukrainën dhe tha se trupat e saj janë atje për stërvitje.

Liderë nga mbarë bota, përfshirë presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, po punojnë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes në mënyrë paqësore. Për këtë qëllim, Turqia ka ofruar organizimin e një samiti të paqes midis liderëve të Rusisë dhe Ukrainës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit