Kanadaja i bashkohet fondit të mbrojtjes së BE-së për të forcuar bashkëpunimin

Mos i humb

Kanadaja po i bashkohet fondit kryesor të mbrojtjes të BE-së prej 150 miliardë eurosh, të quajtur SAFE, njoftuan dje në mbrëmje kryeministri kanadez, Mark Carney gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa, pas samitit BE-Kanada në Bruksel, Belgjikë.

Në një deklaratë të përbashkët, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryeministri kanadez, Mark Carney thanë se instrumenti i financimit ishte një mënyrë për të forcuar bashkëpunimin në këto kohë gjeopolitikisht të trazuara.

“Është një mjet për të rritur bashkëpunimin, për të përmbushur objektivat e mbrojtjes dhe për të shpenzuar më mirë, ndërsa adresojmë urgjencën afatshkurtër dhe nevojat afatgjata”, thanë ata.

Instrumenti i Veprimit të Sigurisë për Evropën (SAFE) është pjesë e përpjekjeve të riarmatimit në Evropë që synojnë të pengojnë Rusinë nga sulmi i mundshëm i një vendi tjetër evropian pas Ukrainës.

Agjencitë e inteligjencës besojnë se Rusia do të jetë në një pozicion ushtarak për të filluar një luftë tjetër deri në vitin 2030.

Për anëtaren e NATO-s, Kanadanë, thirrja për një marrëdhënie më të ngushtë me BE-në në sektorin e mbrojtjes ka të ngjarë të qëndrojë në uljen e varësisë së saj nga SHBA-ja si aleatja e saj më e rëndësishme.

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka nënçmuar vazhdimisht fqinjin e saj verior duke e propozuar atë si “shtetin e 51-të” i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – dhe duke iu referuar kryeministrit të atëhershëm kanadez, Justin Trudeau si guvernator, titulli për kreun ekzekutiv të një shteti amerikan.

“Pjesëmarrja e Otavës në “programin e kredisë” të BE-së është një hap tjetër në thellimin e bashkëpunimit tonë dhe prioriteteve të përbashkëta të Bashkimit Evropian dhe Kanadasë”, thanë Carney dhe Von der Leyen.

Ukraina është mbrojtur kundër një pushtimi të plotë rus që nga shkurti i vitit 2022 me mbështetjen e konsiderueshme te aleatëve perëndimorë, përfshirë BE-në dhe Kanadanë.

Kreditë “SAFE”, të siguruara nëpërmjet buxhetit të BE-së, kanë për qëllim t’u mundësojnë vendeve të blejnë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe raketore, sisteme artilerie, raketa dhe municione, dronë dhe sisteme anti-dronë dhe pajisje të tjera ushtarake.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit