Konstituohet Kuvendi i Kosovës, Rashiç zgjidhet nënkryetar

Mos i humb

Pas më shumë pesë muajsh, Kuvendi i Kosovës ka konstituar legjislaturën e nëntë në seancën e thirrur pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Kushtetuesja.

Nenad Rashiq, nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, pas dështimit të nëntë propozimeve të Listës Serbe dhe kalimit në zgjedhjen e nënkryetarit përmes procedurës së shortit.

Me 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime, ai u bë njëri nga pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës.

Përveç votave nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa prej deputetetëve të komuniteteve joshumicë joserbe, ai siguroi edhe votat e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan, ndërsa Lista Serbe votoi kundër.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha kërkoi gjatë seancës që votimi për nënkryetarin serb të Kuvendit të vazhdojë me short, duke e kritikuar përfaqësuesin e deputetëve serb, Igor Simiqin e Listës Serbe, se nuk pranoi ta propozonte Nenad Rashiqin.

“Meqë po refuzohet të propozohet kandidati i mbetur, i cili po ashtu përfaqëson komunitetin serb, që është në harmoni të plotë me nenin 67 të Kushtetutës, atëherë në bazë të Rregullores së Punës së Kuvendit, jam i detyruar të vazhdoj me procedurës e shortit si mekanizëm zhbllokues”, tha Basha.

Simiq nga Lista Serbe tha se nëse do ta propozonte dikë tjetër, do të ishte “shkelje kushtetuese”.

“Ne mund të propozojmë sërish dikë nga komuniteti serb, por vetëm këta kandidatë [të propozuar më parë] kanë të drejtë në bazë, të Kushtetutës dhe në bazë të Rregullores së Kuvendit. Gjithçka tjetër do të ishte shkelje e Kushtetutës dhe e Rregullores. Kjo pozitë i takon vetëm grupit të Listës Serbe”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur tashmë kryetarin dhe katër nënkryetarët.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit