Këshilli i Ministrave miratoi sot kuotat e përgjithshme të kredive të reja për kategoritë prioritare të të punësuarve përfitues në administratën publike.
Në mbështetje të ligjit “Për strehimin social” dhe me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave vendosi që kuotat e përgjithshme të kredive të lehtësuara për administratën publike për vitin 2024 janë gjithsej 300.
Konkretisht Ministria e Brendshme përfiton 90 kredi të lehtësuara; Ministria e Mbrojtjes 90 kredi, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural 30 kredi; Ministria e Arsimit dhe Sportit 30 kredi; Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale 45 kredi; Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit 15 kredi.
Përfituesit do të përzgjidhen në bazë kritereve të parashikuara në sistemin e pikëzimit të përcaktuar.
Përfituesit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit janë punonjësit arsimorë në institucionet publike të arsimit parauniversitar, si pjesë e administratës publike, dhe përzgjidhen në bazë kritereve të parashikuara në sistemin e pikëzimit.
Në rast se rezultojnë më shumë kandidatë me pikë të barabarta sesa kuotat e përcaktuara, përzgjedhja e tyre realizohet sipas sistemit të pikëzimit të përcaktuar nga institucioni përfitues, për të realizuar numrin e kuotave të përcaktuara.
Punonjësit e administratës publike të përzgjedhur përfitojnë kredi të lehtësuar me interes 0%.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit.