Seanca e sotme plenare nisi me një minutë heshtje në nderim të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, i cili u nda nga jeta më 31 tetor.
Kërkesa për nderimin e ish-liderit socialist u bë nga kryetari i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Ballës.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi theksoi se “Kuvendi i Shqipërisë shpreh sot ngushëllimet me të sinqerta për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare pas viteve ’90, z.Fatos Nano”.
“Z.Nano ishte një nga themeluesit e PS dhe ka shërbyer disa herë si kryeministër i vendit duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në proceset e demokratizmit të vendit, në ndërtimet e institucioneve të shtetit të së drejtës dhe në orientimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian”, nënvizoi Peleshi.
Peleshi theksoi se “në jetën e tij politike dhe publike, zoti Fatos Nano do të kujtohet si një figurë me ndikim, me ide, që la gjurmë të thella në historinë moderne të vendit tonë”.
“Në shenjë respekti dhe nderimi për jetën dhe veprën e tij ju ftoj të ngrihemi dhe të mbajmë një minutë heshtje”, e përmbylli fjalën Peleshi.
Ish-kryeministri Fatos Nano u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare, pas problemeve të rënda shëndetësore.
Fatos Nano ka shërbyer pesë herë si kryeministër dhe për mbi 14 vjet si kryetar i Partisë Socialiste.
Në vitin 2023, Kryeministri Edi Rama i akordoi Fatos Nanos “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike”, për kontributin e shquar në ndërtimin e shtetit kushtetues dhe demokratik, si dhe për reformimin dhe modernizimin e Partisë Socialiste.
Nano njihet si themeluesi i së majtës moderne në Shqipëri, i cili nuk fshehu të kaluarën e partisë, por e menaxhoi dhe transformoi atë drejt vlerave europiane dhe standardeve demokratike.


