Kuvendi seancë maratonë, miratohet buxheti 2026 dhe paketa fiskale

Mos i humb

Kuvendi u mblodh dje në një seancë plenare maratonë.

Pas zhvillimit të dy interpelancave, seanca plenare shqyrtoi dhe miratoi 12 projektligje, si edhe miratoi dy projektvendime.

Përkatësisht, u miratuan:

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë””, të ndryshuar, u miratua me vota 81 pro, 3 kundër, 0 abstenim;

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, u miratua me 80 vota pro, 25 kundër, 0 abstenim;

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29, datë 30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, u miratua me 84 vota pro, 26 kundër, 0 abstenim;

Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”” të ndryshuar, u miratua me 81 vota pro, 18 kundër, 0 abstenim;

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, të ndryshuar, u miratua me 81 vota pro, 27 kundër, 0 abstenim;

Projektligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale”, u miratua me  vota 75 pro, 20 kundër, 0 abstenim;

Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, u miratua me 76 vota pro, 22 kundër, 0 abstenim;

Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”, u miratua me 73 vota pro, 14 kundër,  0 abstenim.

Sa i përket projektligjit “Për buxhetin e vitit 2026″, në fjalën e saj kryetarja e Komisionit të Ekonomisë Milva Ekonomi, tha se janë pranuar kërkesat e 7 komisioneve për të shtuar shpenzimet për disa institucione me vlerë 504,9 milionë lekë, që do të mbulohen brenda tavaneve të parashikuara në buxhet.

Ndërsa, sa i takon 50 amendimeve të opozitës, Ekonomi tha se cenonin parametrat fiskalë pasi rrisnin me 278,9 miliardë lekë shpenzimet.

Ky projektligj u miratua me 81 vota pro, 16 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, u miratua me 80 vota pro, 8 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Për gjuetinë”, u miratua me 80 vota pro, 9 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse””, të ndryshuar, u miratua me 80 vota pro, 4 kundër, 0 abstenim.

Ndërsa, diskutimi i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 155/2020 “Për ndryshimet klimatike””, u shty për seancën e radhës.

Seanca plenare miratoi edhe dy projektvendime të rëndësishme.

Projektvendimi “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”, ku kandidatura e Endrit Shabanit u miratua me vota 85 pro, 3 kundër, 0 abstenim.

Projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin nr. 104/2025 “Për ngritjen e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik në përbërje të Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat”, u miratua me 87 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim.

Së fundmi, seanca zhvilloi edhe mocionin me debat për gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e raportit final të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 11 maj 2025.

Nga ana e mazhorancës parlamentare, deputeti Ervin Hoxha u shpreh se, ODIHR nuk ka deklaruar askund se zgjedhjet nuk qenë të lira, ODIHR nuk ka delegjitimuar rezultatin, ODIHR nuk qëndron pas narrativës së opozitës, dhe se opozita po mundohet të fshihet pas ODIHR-it.

“Raporti flet për mangësi të adresueshme, jo për delegjitimim. Flet për përmirësime, jo për krizë. Flet për reforma, jo për kaos politik.

Si anëtar i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, dua të theksoj se standardet zgjedhore janë një nga kolonat e integrimit europian. Shqipëria ka bërë hapa të qartë përpara. Duhet dhe do të bëjmë edhe më shumë. Kjo me seriozitet, me përgjegjësi dhe duke u çliruar nga retorika e vjetër e konfliktit”, theksoi Hoxha.

Ndërsa, nga ana e opozitës deputeti Sali Berisha vuri në dukje se zgjedhjet ishin një proces që duke shkelmuar parimet për zgjedhje të drejta, u falën dy ditë para zgjedhjeve dy miliardë euro gjoba dhe kamata.

“Aty ku ka parti-shtet s’ka zgjedhje, ka farsë. Me këtë proces shpreh mirënjohje atyre 300 vëzhguesve nga dhjetëra vende që firmosën tre raporte të OSBE-ODHIR, të Këshillit të Europës dhe të Parlamentit Europian”, tha Berisha.

Seanca i mbylli punimet rreth orës 04:00.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit