Leskaj tërhiqet si drejtues politik i PD-së në Vlorë: Pas 2 vitesh lë edhe mandatin e deputetit

Mos i humb

Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, theksoi sot se pas publikimit të raportit përfundimtar të misionit të OSBE-ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, PD është përballë një faze historike, që kërkon një analizë të thellë dhe një proces të domosdoshëm reformimi.

Përmes një shkrimi të gjatë në rrjete sociale, Leskaj nënvizon ndër të tjera se “ky është një çast vendimtar për të rifreskuar dhe sinergjizuar partinë, duke ndërtuar një lidership të konsoliduar dhe një strukturë që ndjek parimet themelore të saj”.

Sipas Leskajt, “analiza e zgjedhjeve, mbas denoncimit të farsës zgjedhore dhe raportit të OSBE/ODIHR, duhet të fillojë nga drejtuesit politikë që humbën në zgjedhjet e 11 majit në qarqet e tyre, pavarësisht farsës dhe manipulimit të zgjedhjeve”.

Leskaj bëri të ditur se pas humbjes së zgjedhjeve, ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës.

“Këta drejtues duhet ose të japin dorëheqje (personalisht, menjëherë pas zgjedhjeve, në maj 2025, i paraqita kryetarit të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berishës dorëheqjen time, si drejtues politik i qarkut Vlorë) dhe/ose të zëvendësohen me të rinj, nga kandidatët e PD-së në listat e hapura që fituan ose morën mbështetje të gjerë nga elektorati”, shkruan Leskaj.

Gjithashtu deputeti demokrat bëri të ditur së pas dy vitesh do të lërë mandatin e deputetit, me synimin që t’ia kalojë kandidatit pasardhës.

“Personalisht, pas dy vitesh, do të lë mandatin tim të deputetit tek kandidati pasardhës në listë, për të inkurajuar deputetët e rinj, nxitur rinovimin dhe për të sjellë një frymë të re të të bërit politik. Ky është një proces që duhet të ndiqet nga të gjithë deputetët aktual; të cilët më vonë si ish-deputetët duhet të vazhdojnë të kontribuojnë maksimalisjt si të ishin deputet, me veprimtari. Kjo formulë në optikën time e bën më të shëndetshme Partinë Demokratike, duke e bërë më të fortë, më te hapur dhe më të sigurt për të ardhmen”, theksoi Leskaj.

Leska nënvizoi se vetëm përmes një procesi të thellë riorganizimi dhe angazhimi të vazhdueshëm me qytetarët, PD mund të rigjejë besimin dhe të ndihmojë në konsolidimin e demokracisë dhe shtetformimit.

“Ky është një moment historik, më i rëndësishmi në këto 35 vite për të kaluar nga fjalët në veprime konkrete dhe për të shndërruar vizionin e PD në realitet”, shkruan ndër të tjera Leskaj.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit