Kryeministri i vendit, Edi Rama, mblodhi sot, 15 dhjetor, grupin parlamentar të Partisë Socialiste.
E pranishme në mbledhjen e fundit për këtë vit, që ka zgjatur rreth 1 orë në Kryesinë e Kuvendit, ishte edhe numri dy i qeverisë, Belinda Balluku.
Kjo e fundit u rikthye në detyrë 3 ditë më parë, me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
“Të vijohet puna me dy komisionet e posaçme, ai i Reformës Territoriale dhe i Zgjedhores“, mësohet se ka qenë porosia kryesore e Ramës, duke theksuar se PS do vijojë me të njëjtin ritëm, pavarësisht qëndrimit që do të mbajë opozita.
Ka kërkuar gjithashtu që puna e Kuvendit të jetë në sinkron me detyrat e përcaktuara nga Bashkimi Europian, në kuadër të procesit të negociatave.
Vlen të theksohet se për ndryshime në Kushtetutë, votat duhet të jenë me shumicë të cilësuar. Rrjedhimisht, konsensusi mes palëve dhe ulja në tryezë mbetet një domosdoshmëri për sezonin e ardhshëm politik.
Kujtojmë se dy komisionet u miratuan në Kuvend më 27 tetor. Si rrallëherë, socialistët dhe demokratët bashkuan votat për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, me përbërjen dhe objektin e punës së dakordësuar më parë. Votat kundër ishin të përfaqësuesve të partive të vogla parlamentare, me pretendimin se mendimi i tyre për këto reforma nuk vlen.
Kreu i demokratëve, Sali Berisha, e arsyetoi këtë “bashkim forcash”, duke thënë se “rekomandimet e drejta duhen kthyer në ligj”, pavarësisht se me Ramën “nuk do ketë kurrë zgjedhje të lira e të ndershme”.
PS deri më tani ka qenë e hapur për çdo propozim për reformat, pa përjashtuar edhe diskutimet për ndryshim të sistemit zgjedhor dhe hartës territoriale, siç kërkojnë opozitarët.
Ndërkohë, siç deklaroi kreu i grupit të PS,Taulant Balla, PD ka “braktisur” punën në dy komisione. Ai kërkoi që kundërshtarët politikë të reflektojnë, duke e cilësuar “vendim emotiv”.


