Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos kanë mbërritur në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ku sot mblidhet samiti Growth Plan “Our pathway to EU”.
Kryeministri Edi Rama i priti pjesëmarrësit në këtë samit në hyrje të Pallatit të Brigadave, ku mbërritën njëri pas tjetrit Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, si dhe liderët e rajonit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, si dhe kryeministrat e Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Në këtë samit pritet të diskutohet lidhur me Planin e Rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian.
Në nisje të punimeve të samitit do të mbajnë një fjalë hyrëse kryeministri Edi Rama së bashku me Komisioneren Kos.
Samiti do të zhvillojë punimet i konceptuar në dy panele diskutimesh: “Formimi i nismave të reja, me përfitime për qytetarët dhe biznesin” dhe “Përmbushja e angazhimeve të përbashkëta – Rezultatet dhe përshpejtimi”, ku do të lançohet Udhërrëfyesi për Ballkanin Perëndimor e do të flitet mbi pozicionimin e rajonit në ekosistemin AI të BE, korsitë e gjelbra, bashkëpunimin në fushën e turizmit, mbi progresin dhe hapat e ardhshëm drejt tregut të përbashkët rajonal etj.
Ndërsa në mbyllje të punimeve do të mbahet edhe një konferencë e përbashkët për shtyp e Ramës dhe Kos.


