“Nga errësira lindi shpresa”, zëri i UÇK-së jehon në Shkup për drejtësi

Mos i humb

Shkupi është mbushur sot me flamuj kuqezi, teksa qindra shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” për të marrë pjesë në protestën në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Protesta u thirr nga organizatat e veteranëve të UÇK-së dhe përbën tubimin e pestë radhazi, pas atyre të zhvilluara më herët në Prishtinë, Tiranë, Strasburg dhe Hagë. Me pankarta, simbole kombëtare dhe thirrje për drejtësi, pjesëmarrësit shprehën solidaritetin e tyre me të akuzuarit.

Protesta ka nisur me himnin kombëtar dhe ka vazhduar me mbajtjen e fjalimeve nga ana e ish-veteranëve të UÇK-së.

Berat Hajdari, veteran i luftës, përshëndeti të pranishmit dhe tha se sot nuk do fliste vetëm si anëtar i këshillit organizativ i protestës, por edhe si invalid i luftës që mban plagët e lirisë.

“Plagët tona nuk janë vetëm në trup, por janë kujtesë e gjallë e ditëve kur liria nuk ishte fjalë, por betejë. Sot kur shoh këtë mbështetje, zemra më rrahë si atëherë.”, u shpreh ai.

Ai shtoi se: “Jemi mbledhur për një kauzë që na dhemb, por mbi të gjitha na bashkon për të kërkuar drejtësi për komandantët e UÇK-së që po gjykohen padrejtësisht në Hagë. Nuk po kërkojmë të mohojmë drejtësinë, por jemi për ta kërkuar drejtësinë. Jemi për t’i përkujtuar botës se ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë, se historia nuk guxon të shtrembërohet, se lufta jonë e drejtë nuk guxon të baltoset. Ne kërkojmë që gjykimi të jetë i ndershëm, jo i bazuar në gënjeshtrat serbo-ruse.”

Një nga organizatorët e protestës, në hapje të protestës theksoi se UÇK-ja lindi në një nga periudhat më të errëta për Kosovën, jo si një forcë e zakonshme ushtarake, por si shprehje e shpirtit të pathyeshëm të një populli që refuzoi të jetonte në heshtje dhe padrejtësi.

Ish-veterani i UÇK-së: “Në një kohë kur terri dukej i pafund, kur toka e Kosovës dridhej nga padrejtësia dhe fytyrat e njerëzve ishin bërë hije nga frika, nga nëntoka e Dardanisë diçka u zgjua, jo një ushtri me armë të rënda, por një shpirt i lashtë, i papërkulur. U ngrit zëri i një populli që nuk pranonte të tretej në heshtje, u ngrit UÇK. Ajo nuk lindi në sallone politike, por në plagët e historisë, në lotët e nënave, në britmën e padrejtësisë, në zemrat e atyre që e donin këtë tokë më shumë se veten. Në uniformë të thjeshtë por shpirt të hekurt. Ata u bënë simbol i shpresës, i dinjitetit dhe populli u ngrit me ta.”

Ai shtoi se UÇK nuk përfaqëson luftën, por është thirrje për nder dhe identitet kombëtar dhe se beteja e sotme nuk zhvillohet me armë, por në kërkim të drejtësisë për çlirimtarët në sallat e gjykatave: “Thërrasim njëzëri liri për çlirimtarët! Sot beteja jonë nuk është me armë por me drejtësinë e mohuar nëpër gjykata.”

Veterani i UÇK-së, Hasan Haklaj, ishte folësi i dytë në protestën kundër Speciales që po mbahet në Shkup.

“Të dashur bashkëkombës, të dashura motra dhe vëllezër, bij dhe bija të një historie, të një gjuhe, të një gjaku, të një qëndrese. Një rilindas i madh thoshte se me shkronja bëhet alfabeti dhe me alfabet shkruhet kombi. Po të mos ishte alfabeti shqip, ne do të shuheshim. Ky është i paprekshëm dhe tri shkronjat më të arta të alfabetit shqip janë UÇK”, tha Haklaj para mijëra protestuesve.

Ai shtoi se UÇK është “fotosinteza” e kombit shqiptar

Shqipdona Mazari, vajza e Komandant Strugës, ka mbajtur një fjalim përpara shqiptarëve të mbledhur në protestën që po zhvillohet këtë të shtunë në Shkup.

Ajo u shpreh se UÇK-ja nuk ishte një ushtri pushtuese, por një ushtri çlirimtare që luftoi për liri.

“Unë si bijë dëshmori qëndrojë para jush me një emocion, ndjenjë përgjegjësi dhe plagë e pashërueshme. Emocioni im është simfoni krenarie. UÇK-ja është përgjigja e një populli që nuk e pranoi kurrë zhdukjen dhe ata që e udhëhoqën nuk ishin kurrë kriminel”, shtoi Mazari. Ajo u bëri thirrje shqiptarëve kudo që ndodhen të mos ndalen së kërkuari drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, dhe që ngjarjet në Kosovë mos të kthehen në “statistikë harrese”.

Sipas raportimeve, shumë qytetarë udhëtuan drejt Shkupit që në orët e para të mëngjesit, duke kaluar pikëkalimet kufitare me flamuj dhe pankarta. Disa prej tyre deklaruan se kanë marrë pjesë në të gjitha protestat e organizuara deri më tani.

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së është bërë e ditur se protesta është paqësore dhe ka për qëllim vetëm kërkesën për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, duke theksuar rëndësinë e respektimit të luftës çlirimtare të popullit shqiptar.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit