Nikolla: Integrimi evropian ishte dhe mbetet prioritet i Kuvendit

Mos i humb

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla hapi sot sesionin e ri parlamentar në seancën plenare të Kuvendit ku përmblodhi në një fjalim të shkurtër faktet e sesionit të kaluar dhe ambicjet për sesionin e ri.

“Sesioni i kaluar ishte një sesion i ngarkuar pune, gjatë të cilit shqyrtuam e miratuam ligje të rëndësishme për mbështetjen e zhvillimit të vendit, rritjen e mirëqenies së qytetarëve, thellimin dhe avancimin e reformave, konsolidimin e sistemit demokratik, përshpejtimin e ritmeve të integrimit evropian dhe garantimin e legjitimitetit demokratik të këtij procesi, fuqizimin e partneritetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar të Shqipërisë.

Duke garantuar e mbështetur pavarësinë e degëve të qeverisjes, Kuvendi ushtroi përgjegjësitë e veta për mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë dhe të institucioneve të shtetit si edhe mbështetjen e pushtetit gjyqësor”, u shpreh Nikolla.

Nikolla tha se integrimi evropian ishte dhe mbetet prioritet i veprimtarisë së Kuvendit.

“Kuvendi ka vijuar të përmbushë përgjegjësitë e tij në kuadër të procesit të integrimit europian në të tre funksionet e tij: ligjvënës, kontrollues e monitorues dhe zgjedhës.

Gjatë këtij sesioni, në procesin e integrimit evropian ka pasur arritje dhe ngjarje të rëndësishme. Në muajin korrik, Parlamenti Evropian, në një votim historik, miratoi me një shumicë të qartë e bindëse, me 536 vota pro, Raportin për Shqipërinë.

Parlamentarët evropianë vlerësuan se Shqipëria mund dhe duhet të përmbyllë procesin e anëtarësimit në kohë rekord. Komisioneri për Zgjerimin sugjeroi hapjen e bllokut të parë të negociatave brenda vitit 2023”, theksoi ajo.

“Më 19 korrik u zhvillua takimi i 16-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit. Takimi konfirmoi progresin e dukshëm të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, rolin tonë konstruktiv në integrimet rajonale, vlerësimin e Bashkimit Evropian për këto arritje dhe vullnetin për procesin e zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor”, shtoi Nikolla.

Sipas saj, Kuvendi forcoi rolin shqyrtues të përputhshmërisë së projektligjeve me standartet e BE-së, duke garantuar një cilësi më të mirë të legjislacionit kombëtar.

Komisioni për Çështjet Europiane shqyrtoi dhe miratoi 11 projektligje, nga të cilat 6 prej të cilave synonin përafrimin me legjislacionin e BE-së dhe paraqiti 29 amendamente me qëllim përafrimi.

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian organizoi 6 takime periodike dhe ndërgjegjësuese mbi zbatimin e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit me Bashkimin Europian.

Për t’iu përgjigjur sfidave të negociatave, Kuvendi miratoi në 16 mars ndryshimet e ligjit 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

“Këto ndryshime do të rrisin rolin e Kuvendit në çuarjen përpara të agjendës evropiane, do të fuqizojnë kontrollin dhe monitorimin e procesit të anëtarësimit, do të rrisin pjesëmarrjen e grupeve të interesit dhe informimin e publikut në monitorimin e negociatave.

Ky kuadër më i plotë ligjor u plotësua edhe nga riinxhinerimi i strukturës së shërbimeve parlamentare. Byroja e Kuvendit miratoi ngritjen e një strukture të posaçme për integrimin, “Shërbimi i Integrimit Europian”, i cili iu shtua gjashtë shërbimeve të Kuvendit”, tha Nikolla.

Kuvendi vijon të zbatojë Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2022 dhe plotësimin e detyrimeve për raportim në kuadër të takimeve të përbashkëta BE-Shqipëri për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, gjatë procesit screening e takimeve me Komisionin Evropian.

“Tashmë që qendra e gravitetit të veprimtarive integruese po zhvendoset nga Brukseli në rajon, Kuvendi do të mbështesë të gjitha përpjekjet e Qeverisë për kryesimin nga Shqipëria të Procesit të Berlinit përgjatë vitit 2023, në mënyrë që vendi ynë të përmbushë me sukses lidershipin në bashkëpunimin rajonal dhe përpjekjet e përbashkëta të popujve të Ballkanit Perëndimor për tiu bashkuar familjes evropiane”, shtoi ajo.

Nikolla bëri një bilanc përmbledhës legjislativ, ku gjatë sesionit të kaluar u zhvilluan 22 seanca plenare të zakonshme dhe 4 të posaçme.

“Zhvilluam 6 interpelanca, prej të cilave 4 të zakonshme dhe 2 urgjente, 4 seanca pyetje-përgjigje me ministrat dhe 1 mocion me debat. Në Kuvend u depozituan 67 projektligje, prej të cilave 55 nga Këshilli i Ministrave, 11 nga deputetët dhe 1 nga 20.000 zgjedhës.

Shqyrtuam e miratuam 69 ligje, nga të cilat 15 ligje bazë, 28 me shtesa e ndryshime, 5 akte normative, 21 marrëveshje ndërkombëtare. 61 ligje ishin nismë e Këshillit të Ministrave dhe 8 nisma deputetësh. 45 ligje u miratuan me shumicë të thjeshtë, 23 me shumicë absolute, 1 me shumicë të cilësuar”, tha ajo.

Nikolla shtoi se u miratuan 26 rezoluta për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të institucioneve kushtetuese dhe të krijuara me ligj.

Sipas saj, gjatë seancave u zhvilluan 139 diskutime nga deputetë të maxhorancës dhe 260 diskutime nga deputetë të opozitës, pra nga opozita diskutuan rreth dy herë më shumë deputetë se sa nga mazhoranca. Koha e diskutimeve është ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë, mes mazhorancës dhe opozitës.

“Koleget gra kanë qenë aktive gjatë sesionit të kaluar. Përqindja e diskutanteve gra (37.6%) e tejkalon përqindjen e tyre në Kuvend (36%). Kësaj veprimtarie legjislative u duhet shtuar edhe puna voluminoze e komisioneve të përhershme parlamentare, të cilët, gjatë 202 mbledhjeve të zhvilluara, shqyrtuan 184 nisma ligjore të Këshillit të Ministrave, 48 nisma deputetësh dhe 9 projektvendime.

Komisionet miratuan 350 amendamente, nga të cilat 311 të propozuara nga deputetët dhe 39 nga grupet e interesit dhe organizatat e shoqërisë civile. Komisionet zhvilluan 62 seanca dëgjimore, prej të cilave 12 të lidhura me procesin legjislativ, 40 me kontrollin parlamentar, 8 me procesin zgjedhës dhe 2 për çështje të tjera”, vijoi Nikolla.

Nikolla u ndal edhe tek mbështetja e avancimit të reformës në drejtësi, duke inkurajuar sistemin e drejtësisë, që pa cenuar pavarësinë e pushteteve, t’i “përkthejë” arritjet e reformës, mbështetjen parlamentare dhe pritshmëritë e publikut në dhënien me ndershmëri të drejtësisë.

“Ndryshe nga reformat e tjera, reforma në drejtësi nuk është një sprint, por një maratonë.
Reforma nuk matet vetëm me shifra dhe nuk kërkon një qasje teknike, por një lidership adaptiv dhe sinergjinë e bashkëveprimit të të gjithë faktorëve politikë e parlamentarë, për ta mbështetur këtë reformë pa kushte dhe pavarësisht çdo konjukture.

Ne po zëvendësojmë kulturën e pandëshkueshmërisë me dhënien e drejtësisë sipas parimit “Askush nuk është mbi ligjin, por askush nuk duhet të jetë nën ligjin.”

Kuvendi ka qenë dhe mbetet i vendosur të mos bëjë asnjë kompromis me këtë parim, duke kontribuar për ndërtimin e një drejtësie të pastër e të ndershme, nisur nga e vërteta e njohur se një padrejtësi e vogël, në dukje e papërfillshme, mund të kërcënojë seriozisht të gjithë sistemin”, tha Nikolla.

Sipas saj, gjatë sesionit të kaluar reforma zgjedhore nuk avancoi.

“Prandaj, unë u bëj thirrje grupeve parlamentare dhe Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore të fillojnë menjëherë nga puna për përfundimin e këtij procesi, për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe duke u fokusuar në sfidat kryesore të reformës:
• Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për garantimin e votimit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 për të gjithë shqiptarët në Diasporë nga vendet ku jetojnë;
• Depolitizimi i administratës zgjedhore dhe i administrimit të zgjedhjeve;
• Financimi i partive politike;

• Dhe çështje të tjera që lidhet me integritetin e procesit dhe garantimin e zgjedhjeve të ndershme.
Në seancën e fundit plenare të sesionit të kaluar, maxhoranca e bëri të qartë vullnetin e saj dhe këtë vullnet Kuvendi dhe qytetarët e presin edhe nga opozita.
Zgjedhjet nuk janë as të Kuvendit, as të partive politike, por të qytetarëve dhe verdikti i tyre që duhet respektuar”, theksoi Nikolla.

Nikolla shtoi se Kuvendi po rrit transparencën dhe aksesin e publikut e të qytetarëve në veprimtaritë parlamentare. Po ashtu, ajo tha se Kuvendi ka rritur kontributin për edukimin qytetar të rinisë, nëpërmjet fuqizimit të veprimtarisë së Institutit Parlamentar, si një shërbim i ri.

Nikolla shtoi se kontrolli dhe monitorimi parlamentar është fuqizuar. 29 institucione të pavarura kushtetuese dhe të krijuara me ligj raportuan në Kuvend.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit