Në paralajmërimin e saj të fundit, OBSH-ja tha se varianti mund të çojë në pasoja të rënda në disa rajone.
Drejtori i organizatës, Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri thirrje për shpërndarjen e vaksinave në vende të varfra.
COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi, “nuk ka mbaruar punë me ne”, tha Tedros.
Varianti Omicron u zbulua në Afrikën e Jugut në fillim të këtij muaji. Të dhënat e para sugjerojnë se numri i madh i mutacioneve të tij mund ta ndihmojë atë që të shmangë përgjigjen e sistemit imunitar dhe të rrisë aftësinë e tij për t’u përhapur nga një person në tjetrin.
“Omicron ka një numër të paprecedentë mutacionesh – disa prej të cilave janë shqetësuese për ndikimin e mundshëm në trajektoren e pandemisë”, tha OBSH-ja.
Tedros tha se shkencëtarët në të gjithë botën po punojnë për të zbuluar nëse varianti i ri lidhet me transmetim më të lartë të koronavirusit dhe me rrezik të riinfktimit.
Ai po ashtu tha se studiuesit po shikojnë reagimin e vaksinave ndaj variantit të ri.
Tedros, megjithatë, theksoi se asnjë vdekje deri më tash nuk është lidhur me Omicronin.