Opinioni i “Venecias”, Bardhi: Dorëzoni Xhaçkën, Kuvendi i detyruar të zbatojë vendimin e Kushtetueses

Mos i humb

Në seancën plenare të ditës së sotme është diskutuar opinioni i Komisionit të Venecias në lidhje me mandatit e deputetes socialiste Olta Xhaçka.

Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike Gazment Bardhi, duke iu referuar opinionit të Komisionit të Venecias, tha se mazhoranca nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Fole këtu për Reformën në Drejtësi, por të kujtoj që ju jeni e vetmja mazhorancë në 34 vite që dy vendime të Gjykatës Kushtetuese i keni hedhur në kosh, shembulli që jepni ju në këtë sallë. Çfarë shembulli i jepni ju qytetarëve shqiptarë? Ju i thoni, po u pëlqeu vendimi i gjykatës zbatojeni nëse jo, shpalleni Republikën “republika Xhaçka”.

Për turpin tuaj e duke nisur nga Kryetarja e Kuvendit që u zotua publikisht që sapo të vinte, në përgjigje dhe apelit të SHBA, BE dhe Mbretërisë së Bashkuar, se sapo të vinte opinioni i Komisionit të Venecias do të zbatonte këtë opinion këshillimor të Komisionit të Venecias”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit mazhoranca në vend që të zbatonte opinionin e Komisionit të Venecias, “shpiku një opinion që nuk ekziston”.

“U tha shqiptarëve që Kuvendi është i pavarur dhe nuk i bindet Gjykatës Kushtetuese. Komisioni i Venecias ka thënë krejt të kundërtën e kësaj. Nuk kanë lexuar një paragraf nga ky komision që na dha të drejtë Komisioni i Venecias”, tha Bardhi.

Deputeti demokrat hodhi akuza edhe kundrejt një televizioni kombëtar.

“Nxorën lajme të rreme në një televizion që është kthyer në turp kombëtar dhe jo televizion kombëtar, pa asnjë bazë e asnjë dokument del e shpërndan një fake news në të gjitha mediet”, tha Bardhi.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Bardhi i bëri thirrje Kryetares së Kuvendit që të fuste në rendin e ditës çështjen e mandatit të Xhaçkës, duke theksuar se duhet t’ia dorëzojnë Gjykatës Kushtetuese që të vendosë për mandatin e saj.

“Nuk mund të ngrini lirinë tuaj të votës kur bëhet fjalë për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund të konsiderohet si imponim i një mënyre votimi, por si një përmbushje përgjegjësie për të respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, zonja Kryetare, fusni menjëherë në rendin e ditës, dorëzojani menjëherë drejtësisë Olta Xhaçkën, të vendosë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nëse është apo jo në kushtet e papajtueshmërisë së mandatit. Çdo sjellje kundër ndaj kësaj është minimi i shtetit të së drejtës, i parlamentarizmit, minim i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, tha Bardhi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit