Konferenca e Sigurisë së Mynihut (MSC) ka vendosur të ftojë deputetë nga partia e ekstremit të djathtë Alternative für Deutschland (AfD) në edicionin e ardhshëm të saj, duke i dhënë fund përjashtimit dyvjeçar nga një prej forumeve më të rëndësishme ndërkombëtare të sigurisë.
Vendimi u konfirmua nga organizatorët e konferencës dhe vjen pas kritikave të forta të nënpresidentit të SHBA-së, JD Vance, i cili gjatë MSC-së së këtij viti akuzoi Gjermaninë për kufizim të lirisë së shprehjes përmes përjashtimit të AfD-së, parti e njohur për qëndrimet e saj anti-migracion dhe lidhjet pro-Kremlinit.
Sipas MSC-së, ftesat do t’u dërgohen deputetëve nga të gjitha partitë e përfaqësuara në Bundestag, veçanërisht anëtarëve të komisioneve parlamentare për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje. Rreth 19 deputetë të AfD-së janë pjesë e këtyre komisioneve.
Organizatorët mohuan se vendimi është ndikuar nga presioni amerikan, duke theksuar se Konferenca e Sigurisë së Mynihut është një fondacion privat dhe merr vendime në mënyrë të pavarur.
Vendimi ka nxitur reagime të shumta politike në Gjermani. Përfaqësues të Unionit Social Kristian (CSU) kanë paralajmëruar për rreziqe sigurie, duke përmendur lidhjet e disa zyrtarëve të AfD-së me Rusinë dhe Kinën.
Nga ana tjetër, analistë politikë e shohin këtë lëvizje si një hap drejt normalizimit të AfD-së në skenën politike gjermane. Konsulenti politik Johannes Hillje e quajti vendimin “kapitullim ndaj presionit të JD Vance”, ndërsa politologë të tjerë paralajmërojnë për pasojat afatgjata.
Sipas burimeve, deputetët e AfD-së do të kenë akses vetëm në konferencën kryesore dhe jo në takime apo formate konfidenciale.
Konferenca e Sigurisë së Mynihut mbledh çdo vit krerë shtetesh dhe qeverish, ministra të jashtëm dhe të mbrojtjes, si dhe drejtues të lartë ushtarakë nga e gjithë bota.
Vendimi vjen në një kohë kur AfD po forcon pozitat e saj politike, pasi në zgjedhjet e fundit federale mori mbi 20% të votave dhe u rendit si forca kryesore opozitare në parlamentin gjerman. Në maj, shërbimi i inteligjencës së brendshme gjermane e klasifikoi AfD-në si një forcë ekstremiste të djathtë, ndonëse ky vlerësim mbetet ende në shqyrtim.


