Partia Demokratike ka kërkuar mocion me debat në Kuvend në lidhje me gjetjet e raportit final të vëzguesve ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në kërkesën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi nënvizon se “duke pasur parasysh gjetjet e raportit final të OSBE-ODIHR-it, veçanërisht ato që lidhen me shkeljen e parimit të barazisë së palëve në garë, vlerësojmë se është detyra jonë si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, që të iniciojmë dhe nxisim debatin parlamentar për problematikat, mangësitë dhe standardet e proceseve zgjedhore në vendin tonë”.
Prandaj, thekson më tej Bardhi “kërkojmë zhvillimin e një mocioni me debat parlamentar për gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e raportit final të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025”.
Sipas PD-së, në përmbajtjen e raportit theksohet se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 u mbajtën në një mjedis tejet të polarizuar, ku garuesit nuk gëzuan mundësi të barabarta dhe se partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës.


