PD ka reaguar për përjashtimin e Sali Berishës nga Kuvendi.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Ky vendim nuk është thjesht antikushtetues, por është dëshmi e qartë se deputetët e mazhorancës nuk i shërbejnë interesave të qytetarëve, por vetëm interesave politike të Edi Ramës. Kjo është hera e parë në historinë e pluralizimit në vend, ku një deputet, pa kryer asnjë shkelje të Rregullores, pengohet të ushtrojë funksionin e tij, me vendim politik të mazhorancës, vetëm se ka shprehur lirisht, jashtë sallës së Kuvendit, mendimin e tij mbi një projektligj të kundërshtuar me forcë nga pjesa dërrmuese e shoqërisë shqiptare.
Përjashtimi i deputetëve të opozitës nga Kuvendi, për shkak të fjalës së tyre të lirë, është bërë tashmë një praktikë e kësaj mazhoranca pa legjitimitet. Pasi dhunuan zgjedhjet e lira dhe të ndershme në 11 Maj, po tregojnë dita ditës që duan të dhunojnë edhe parlamentarizimin apo rregullat bazë të funksionimit demokratik të Kuvendit.
Deputetët e opozitës as nuk e pranojnë dhe as nuk do ta lejojnë një degradim të tillë. Cdo provokimi të tillë, deputetët e opozitës do ti përgjigjen në mënyrë proporcionale, me qëllim që Kuvendi t’i kthehet normalitetit demokratik dhe funksionimit të tij sipas Rregullores dhe Kushtetutës.


