Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD Genta Vangjeli nëpërmjet një deklarate për mediat ka denoncuar papërgjegjshmërinë e treguar nga qeveria lidhur me përmbytjet.
Vangjeli shton se përballë kësaj katastrofe institucionet e drejtësisë nuk duhet të heshtin dhe se SPAK duhet të hetojë.
Jo më larg se disa muaj më parë, Kryeministri Edi Rama, së bashku me zv/kryeministren Belinda Balluku dhe ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, inspektuan nga afër investimin për mbrojtjen e tokave bujqësore dhe rehabilitimin e argjinaturës së majtë të lumit Seman, në bashkinë e Fierit. Një investim që u propagandua si i përfunduar brenda 4 muajve të fundit të vitit 2024 dhe që u prezantua si sukses madhor i qeverisë.
Kryeministri Rama deklaroi publikisht se argjinatura e majtë e lumit Seman kishte pësuar një përmirësim të dukshëm në 8 km, duke pretenduar se ishin shpëtuar nga përmbytjet rreth 5000 hektarë tokë bujqësore.
Sipas tij, bëhej fjalë për një ndërhyrje emergjente të realizuar me sukses falë fondeve të Ministrisë së Bujqësisë dhe punës së bordeve të kullimit dhe kompanive kontraktuese.
U deklarua se në qarkun e Fierit janë rreth 30 km argjinaturë që janë mbështetur në 5 vitet e fundit me fonde buxhetore dhe me rehabilitim. të padiskutueshëm në të gjithë zonën bujqësore që përfaqëson ky qark me 14 kantiere, 8 të ndjekura nga ministria dhe 6 nga pushteti vendor, dhe një fond prej 6 milionë euro që do ndihmonin një sipërfaqe të ujitshme për gati 20 mijë ha tokë bujqësore, dhe njëkohësisht investime edhe në hidrovor.
Ministrja e Bujqësisë deklaroi se në qarkun e Fierit investimet në sistemet e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet janë rritur gati katërfish krahasuar me vitin 2013, duke arritur në rreth 20 milionë euro në vit.
Por sot, realiteti flet ndryshe….
Reshjet e shumta dhe rritja e prurjeve të lumit Seman kanë shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në disa zona, pas çarjes së argjinaturës në disa segmente.
Uji ka vërshuar në tokat bujqësore të disa fshatrave përreth, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa gjatë natës lumi Seman ka përmbytur rreth 20 banesa në fshatin Hasturkas, në Libofshë.
Kjo situatë ngre pyetje të rënda dhe të pashmangshme:
Kush mban përgjegjësi për milionat e shpenzuara?
Kush mban përgjegjësi për dëmet e shkaktuara qytetarëve dhe fermerëve?
Propaganda e investimeve rezulton një mashtrim i radhës, ndërsa qytetarët përballen me pasojat dramatike të një qeverisjeje të kalbur, të paaftë dhe grabitqare.
Është koha që institucionet e drejtësisë të veprojnë.
SPAK duhet të hetojë.



