Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha sot se përmes planit të ri të rritjes, vendet e Ballkanit Perëndimor nëse ndjekin dhe zbatojnë çdo element të tij, do ta kenë të vështirë që pas vitit 2027 të thonë se nuk janë gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, në përfundim të samitit Ballkani Perëndimor-BE për planin e rritjes, të zhvilluar në Tiranë, Varhelyi u shpreh se procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur kanë qenë nisma të rëndësishme sa i takon frymës për tregun e përbashkët të Ballkanit Perëndimor dhe mbi të cilin bazohet edhe plani i rritjes, i cili tashmë duhet të nisë nga zbatimi.
“Ne tashmë po flasim dhe po themi se çfarë do të zbatojmë nga ky plan për këtë vit. Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE, po punon për të miratuar legjislacionin e duhur. Prandaj dita e sotme është një inkurajim i madh për të gjithë, për të ecur përpara në mënyrë të përshpejtuar”, tha Verhelyi.
“Kryeministri Rama përmendi CEFA-n, nga ku do përfitojnë të gjithë qytetarët. Unë do të citoja korsitë e gjelbra, por ka dhe elemente të tjera. Për shembull, ne kemi patur 20 vite kohë pritje për kamionët, kjo nuk ekziston më. Por mund të kursejmë edhe më shumë kohë nëse ndjekim këto rregulla. Këto gjëra njerëzit mund t’i prekin, t’i ndjejnë, të jenë pjesë e tyre. Evropa është shumë burokratike, por mendoj që këtë herë ne kemi mundësi të tregojmë se cilat janë përfitimet ekonomike të një vendi që bëhet anëtar i BE dhe ne kemi mundësi që këto të mira t’i ndajmë me rajonin përpara se të bëheni pjesë e BE”, tha Varhelyi.
Ai tha se rajoni mund të bëhet gati për anëtarësim në BE edhe më shpejt.
“Kjo do të thotë që ne nuk është se po negociojmë me terma abstrakte, që si dhe kur pas anëtarësimit do të fillojnë të aplikohen rregullat dhe standardet e BE nga vendet e Ballkanit Perëndimor, jo! Këto fonde për të cilat po flasim, po fillojnë të aplikojnë këto rregulla që sot, me qëllim që kur të kemi arritur tek anëtarësimi të jetë kryer, dhe kur të arrijmë në këtë gjë s’do flasim më për këto rregulla dhe mënyra funksionimi”, tha Varhelyi.
Sipas tij, sot për vendet e Ballkanit Perëndimor është shumë e vështirë të përballen me konkurrencën që ka brenda tregut evropian, prandaj dhe lipset aplikimi i këtyre rregullave që po flasim sot, që brenda vitit 2027 rajoni i Ballkanit të jetë gati.
“Ne kuptojmë që pjesëmarrja në tregun e përbashkët ka të bëjë edhe me konkurrencën. Dhe konkurrenca në tregun e BE është e fortë. Konkurrueshmëria e shteteve anëtare krahasuar me ato të Ballkanit Perëndimor është shumë shumë e madhe. Do të ishte e padrejtë që ne t’u kërkonim partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor që të merrnin pjesë në tregun tonë të përbashkët ku kanë më pak mundësi për të konkurruar në krahasim me kompanitë tona. Për këtë arsye ne po japim fonde shtesë, si pjesë e këtij plani, për të ndihmuar në këto reforma, që të kryhen, sepse shumica e tyre ka kosto financiare, qoftë për biznesin, qoftë për shoqërinë, qoftë për qeverinë”, tha Varhelyi.
“Ne jemi të gatshëm ta lehtësojmë këtë punë dhe të zbusim këtë kosto. Për këtë arsye BE ka vendosur të miratojë planin pa asnjë ndryshim nga ai që kemi çuar ne. Ne jemi të mendimit që 6 mld euro duhet të ndihmojnë rajonin, që kjo është sasia e fondeve që u jepet shteteve anëtare sipas fondeve strukturore. Deri në vitin 2027 rajoni do të gëzojë të njëjtin nivel intensiteti ndihme. Kjo do të thotë gjithashtu, që do të jetë shumë e vështirë, që pas vitit 2027 vendet e rajonit të thonë s’jemi gati për t’u bërë pjesë e BE”, nënvizoi ai.
“Një element që sërish e kemi marrë këtu nga rajoni nga nisma Ballkani i Hapur dhe procesi i Berlinit, dhe ky element ka të bëjë me tregun e përbashkët rajonal. Ne kemi nisur punën me planin e investimeve ekonomike dhe mendoj që tashmë kemi kaluar në një nivel më lartë. Kjo do të thotë që në rastin se mund ta them me fjalë të thjeshta. Nëse doni të trajtoheni si shtet anëtarë i BE, ju duhet të trajtoni dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor si anëtarë të BE”, nënvizoi ai.
“Po të marrim shembullin e CEFA-s, është gjë e mirë që Shqipëria do ta vërë në zbatim të gjithë legjislacionin e duhur të CEFA-s shumë shpejt, por në rast se një shtet tjetër që po punon për këtë gjë dhe do ta vë në zbatim këtë gjë, atëherë Shqipëria do të aplikojë të njëjtat rregulla me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat aplikojnë rregullat e CEFA. Kjo do të thotë, që për bizneset do të jetë më lirë për sa i përket për të futur produkte në Shqipëri, por edhe në rast se bëni biznes me vendet e tjera, kostot e biznesit do të ulen në mënyrë të konsiderueshme. Ky do të jetë një përfitim i drejtpërdrejt që i vjen rajonit, por duhet që këtë ta bëjnë dhe vendet e tjera të rajonit. Do ndryshojë rrënjësisht realiteti në vendet tuaja. Ky plan, së bashku me planin e investimeve ekonomike, duhen gërshetuar bashkë, rajoni do duhet të dyfishojë ekonominë e vetë gjatë dhjetë viteve të ardhshme”, përfundoi Varhelyi.