POROSI TË ARTA NË SHFRYTËZIMIN E PUSHIMEVE VERORE

Mos i humb

Koha është jeta e njeriut dhe gjëja më e shtrenjtë e tij, prandaj edhe konsiderohet si njëra prej begative më të mëdha që ia ka dhënë Allahu robit të Tij.

Muadh ibën Xhebeli, radijallahu anhu, na njofton se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë. “Nuk do të lëvizë këmba e asnjë robi Ditën e Kiametit, derisa të pyetet për katër çështje: Jetën se si e kaloi, rininë se si e shfrytëzoi, pasurinë se nga e fitoi dhe ku e harxhoi dhe diturinë se si punoi me të.”

Prej hadithit na bëhet e qartë se Ditën e Kiametit robi i Allahut nuk e bën një hap, vetëm se do të llogaritet për jetën e tij në përgjithësi dhe rininë e tij në veçanti, pastaj për pasurinë e tij si e ka fituar dhe shpenzuar dhe për kohën e tij se si dhe ku e ka kaluar.

Abdullah ibën Abasi, radijallahu anhu, transmeton se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shumë njerëz nuk i shfrytëzojnë dy të mira: shëndetin dhe kohën e lirë.”

Po ashtu ibën Abasi, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shfrytëzoi pesë gjëra para pesë të tjerave: Rininë tënde para se të arrijë pleqëria, shëndetin para se të arrijë sëmundja, pasurinë para se të vijë varfëria, kohën e lirë para se të zihesh me punë dhe jetën tënde para se të vijë vdekja.’’

Kush e njeh periudhën e selefit dhe i pason ata do të vëren se ata ishin njerëzit që më së shumti kujdeseshin për kohën e tyre.

Abdullah ibën Mesudi, radijallahu anhu, thoshte: “Nuk jam penduar gjatë jetës sime më shumë se atë ditë kur dielli ka perënduar dhe exheli më është afruar, ndërsa në llogarinë time nuk kam shtuar asnjë vepër të mirë.”

Çdo njeri i mençur në rast se i mediton këto hadithe do të vërejë se çdo njeri është përgjegjës për kohën dhe jetën e tij dhe se koha është mall i shtrenjtë me të cilën dinë të bëjnë tregti vetëm njerëzit e mençur. Për fat të keq rinia jonë është sprovuar në humbjen e kohës në gjëra të kota dhe i kanë harruar përgjegjësit e tyre ndaj saj dhe e kanë neglizhuar thënien: “Koha është sikurse shpata. Po nuk e preve ti, të pret ajo ty.”

Tani gjendemi në periudhën e pushimeve verore ku edhe njerëzit më së shumti e neglizhojnë shfrytëzimin e saj dhe investimin në të dhe për këtë shkak i zgjodhëm disa porosi me të cilat shpresojmë që t’i bëjnë dobi muslimanëve.

Porosia e parë: Mos u largohuni prej Kur’anit

Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, në një hadith të gjatë të quajtur “hadithi i ëndrrës” të cilin na e përcjell Semrete ibën Xhundub, radijallahu anhu, thotë: “Natën më erdhën dy burra dhe më thanë ec përpara. Vazhduam të ecim derisa mbërritën pranë një burri të shtrirë me shpinë, te koka e të cilit qëndronte një burrë i cili ia thyente kokën me gurë. Kur e godiste guri rrokullisej dhe ai shkonte për ta marrë dhe nuk kthehej tek ai vetëm kur i mbyllej plaga dhe koka i kthehej në formën e mëparshme. Burri kthehej dhe e qëllonte sërish. I pyeta thotë Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, se kush është ky? Thanë dy burrat: Ec përpara dhe pastaj më thanë. Ai që ia thyenin kokën është njeriu që ia mësoi Allahu Kur’anin e nuk e lexoi gjatë natës dhe nuk punoi me të gjatë ditës. Kështu veprohet me këtë deri në Ditën e Gjykimit.”

Ebu Musa El-Esharij, radijallahu anhu, thotë se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shembulli i besimtarit që lexon Kur’anin, është sikurse shembulli i citrës, aroma e së cilës është e mirë dhe shijen e ka të mirë; shembulli i besimtarit që nuk e lexon Kur’anin, është sikurse hurma, nuk ka erë, por shijen e ka të ëmbël; ndërsa shembulli i munafikut (hipokritit) i cili e lexon Kur’anin, është sikurse shembulli i krizantemës (lule vjeshte), aroma e së cilës është e mirë, ndërsa shija e hidhët. Shembulli i munafikut i cili nuk e lexon Kur’anin, është sikurse shembulli i kungullit të egër, që nuk ka aromë, kurse shijen e ka të hidhët.”

Këto hadithe duhet të jenë stimulim i mirë për çdo musliman pa marrë parasysh pozitën e tij jetësore dhe vendin ku gjendet, që t’ia jap besën vetes së tij se do të lexojë diçka prej Kur’anit tërë jetën e tij, e jo vetëm në periudhën e pushimeve verore.

Porosia e dytë: Ngopja e mendjes dhe trurit me atë çka të bën dobi

Ti, o vëlla musliman, ky pushim është shans i mirë për lexim ditor që ta zgjerosh diapazonin tënd dhe t’i shtosh informacionet e duhura që të nevojiten. Lexo libra të ndryshëm që shpirtrat anojnë kah ato dhe që nuk bien në kundërshtim me fenë e Allahut, azze ue xhel, duke mos e neglizhuar edhe leximin e librave fetare sidomos ato libra të cilat i përmbajnë dispozitat e besimit, namazit dhe dispozitat e tjera fetare bazike.

Porosia e tretë: Mbaji lidhjet farefisnore

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju” (En-Nisa: 1)

Enes ibën Malik, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai njeri që dëshiron t’i shtohet furnizimi dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë marrëdhëniet farefisnore.”

Xhubejr ibën Mutim, radijallahu anhu, thotë se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai i cili këput lidhjet farefisnore.”

Ebu Hurejra, radijallahu anhu, transmeton se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush i beson Allahut dhe Ditës së Kiametit le t’i mbajë lidhjet farefisnore.”

A ka më mirë se një njeri të kujdeset për familjen e tij, të pyet se a ka nevojtar e ti ndihmojë, dhe a ka të sëmur e ta vizitojë. Kjo i shton të mirat, dashurinë dhe afërsinë mes farefisit. Në rast se nuk mundesh t’i vizitosh le të jetë telefoni yt i bekuar me të cilin do t’i mbash lidhjet farefisnore, sidomos me ato të cilët nuk të vizitojnë.

Porosia e katërt: Pushimi veror është periudhë e mirë për fejesë apo martesë

Martesa është traditë e të gjithë pejgamberëve. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Vërtet, edhe para teje Ne kemi sjellë të dërguar, të cilëve u kemi dhënë gra dhe pasardhës.” (Er-Rad’: 38)

Me ngritjen e martesës sipas ligjit të Allahut, jeta sistematizohet, nderi i muslimanit mbrohet dhe gjendja e tij drejtohet. Allahu, azze ue xhel, thotë: “I martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të ndershëm! Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij; Allahu është i Gjerë në mirësi dhe i Gjithëdijshëm.” (En-Nur: 32)

Për fat të keq sot e vërejmë rininë tonë se si e vonojnë martesën me pretekst se janë shumë të rinj ose thonë se së pari duhet të mbledhim të holla dhe të posedojmë shtëpi e pastaj do të martohemi. Disa prej tyre i presin princat me kuaj të bardhë ose princeshat që të vinë dhe t’i propozojnë martesa dhe i harrojnë argumentet të cilat nxisin në martesë. Çdo vonesë shkon në dëm të tyre dhe më e keqja dhe më e rrezikshmja është se mund shumë lehtë të bien në imoralitet dhe ta meritojnë mallkimin e Allahut në dunja dhe ahiret në rast se nuk pendohen.

Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “O të rinj, kush ka mundësi të martohet le të martohet, sepse kështu e ruan më mirë syrin dhe e mbron organin e tij. E kush nuk mundet të martohet, le të agjërojë, sepse agjërimi është mburojë për të.”
Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Nëse ju vjen (për t’ju kërkuar) ndonjëri me moral dhe përkushtim ndaj fesë, gjëra të cilat ju pëlqejnë, atëherë martojeni, përndryshe, do të bëhet fitne në tokë dhe çrregullime të gjëra.”

Porosia e pestë: Vizitoni kampet verore fetare

Kampet verore janë begati që na i mundësoi Allahu këtyre viteve të fundit. Në to ka shumë dobi si fetare ashtu edhe edukatore, sportive, kulturore etj. Mbikëqyrja e këtyre kampeve bëhet nga ana e njerëzve të sigurt të besueshëm në dituri dhe moral, të cilët e dëshirojnë të mirën dhe thirrin në të. Është mirë që çdo musliman së paku një herë të shkojë e të vizitojë ndonjë kamp dhe të bindet në atë se çka ofron ky lloj kampingu.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Humbja e kohës është më e keqe se vdekja, për shkak se humbja e kohës ta shkatërron dynjanë tënde dhe ahiretin tënd.”

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit