Procesi në Hagë, Prokuroria pretendon se Thaçi ishte përkrahës i drejtpërdrejtë i qëllimit të përbashkët kriminal

Mos i humb

Sot është dita e dytë e shpalosjes së deklaratave përmbyllëse në rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

Për rolin e tyre si ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në kohën e luftës në Kosovë, Prokuroria ka kërkuar për katër të akuzuarit nga 45 vjet burgim për secilin.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria e ka nisur fjalën e vet duke thënë se të akuzuarit kanë pasur rol të fortë kolektiv si anëtarë kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Në rolet që kishin, ishin në gjendje të shpërndanin qëllimin e përbashkët kriminal, të koordinonin veprimet e tyre dhe mohuan veprat penale në mënyrë që t’i gënjenin ndërkombëtarët”.

Hashim Thaçi përshkruhet si njëri prej themeluesve të UÇK-së, duke cituar disa deklarata të Azem Sylës.

Në deklarimet e sotme, Prokuroria e Specializuar pretendoi se Thaçi i ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët, andaj deklaratat e këtyre të fundit duhet të merren me rezervë lidhur me UÇK-në, komandën e organizatës dhe rolin e ish-eprorëve në të.

“Ata nuk e dinin se ai [Thaçi] mund të bënte emërime ushtarake…Ajo që nuk kuptojnë James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarë të tjerë është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet se si funksiononte UÇK-ja. Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan se nuk kishin asnjë interes për të kuptuar çfarë ndodhte në realitet dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë dhe nuk u përballën me atë çka po dëgjon tashmë ky trup gjykues”, u shpreh prokurori.

Në fjalën e vet, Prokuroria pretendon se Hashim Thaçi ka qenë përkrahës i drejtpërdrejtë i qëllimit të përbashkët kriminal, dhe që kjo gjë mund të vërtetohet bazuar në mënyrën se si ai ka folur për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Prokurorët, më pas, u janë referuar disa deklaratave në Komunikatën 53 të UÇK-së, të 18 shtatorit 1998, në të cilën Shtabi i Përgjithshëm ka deklaruar se “vetëm në Sferkë, Prapaqan dhe Baran, ku dezertorët, ish-anëtarë të UDB-së, aktualisht institucionalistët sikurse Tahir Zemaj kanë influencë, armiku nuk gjeti rezistencë, pavarësisht se këto fshatra u dogjën, u përvëluan dhe u shkatërruan. Një ditë këta persona do të mbajnë përgjegjësi për dëmet që po u shkaktojnë popullit dhe mëmëdheut”.

Sipas Prokurorisë, ky ishte mesazh i qartë për ata që pengonin kontrollin e UÇK-së.

“Të përshkruhen kontributet e Thaçit si neutrale, është absurde, sepse ka prova për të vërtetuar të kundërtën. Nuk është kontribut neutral të thuash këto fjalë nga një pozicion siç kishte Thaçi dhe nuk është kontribut neutral të marrësh në pyetje, të kërcënosh, të rrahësh persona në Qirez”

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit