Prodhimi i energjisë elektrike nga kaskada e Drinit arrin 27 mijë MWh

Mos i humb

Prodhimi i energjisë elektrike nga kaskada e Drinit ka arritur sot në rreth 27 mijë MWh duke ruajtur nivelin e gjithë këtyre ditëve për të shfrytëzuar prurjet nga reshjet intensive të fillimit të janarit.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) bëri të ditur se prurjet natyrore në kaskadë regjistrohen në nivele të moderuara, ku HEC Fierzë përfiton rreth 500 m³/s, HEC Koman 250 m³/s, ndërsa HEC Vau i Dejës 50 m³/s.

Ndërkohë, shkarkimet janë realizuar kryesisht nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës, në funksion të optimizimit të prodhimit. Nga Komani shkarkimet llogariten 200 m3/s dhe nga Vau i Dejës 300 m3/s.

Sipas KESH-it, nivelet aktuale në liqenet e kaskadës mbeten brenda parametrave të sigurisë, duke krijuar kushte të favorshme për vijimësinë e prodhimit hidroenergjetik gjatë ditëve në vijim.

Konkretisht niveli I HEC-it të Fierzës është 292.4 m, në HEC-in e Komanit 170,6 m dhe në HEC-in e Vaut të Dejës 73.8 m.

KESH siguron se po monitoron në mënyrë të vazhdueshme situatën hidrike dhe po zbaton një strategji operative që synon maksimizimin e prodhimit vendas, garantimin e sigurisë së digave dhe reduktimin e nevojës për import energjie.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit