Sot në orën 13:00 në sheshin “Skënderbeu” në Shkup do të mbahet protesta në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.
Organizatorët e protestës kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në këtë protestë me kërkesën e vetëm lirimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe drejtësi për ata.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari theksoi se protesta në Shkup, ashtu sikurse edhe në vendet tjera ka qenë thirrje për drejtësi.
“Qëllimi jonë i vetëm është që të kërkojmë drejtësi dhe të solidarizohemi me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimit dhe gjithë të tjerët të cilët padrejtësisht po mbahen në Gjykatën Speciale në Hagë. Ne nuk i thërrasim protestat dhe nuk i kemi thirrur asnjëherë që të kundërshtojmë ose kundër drejtësisë, por protestat tona pikërisht në këtë rast ku po atakohet lufta e shenjt e jona, UÇK protestat i kemi thirr dhe çdo individ që i përgjigjet kësaj proteste flet në vete dhe kërkon drejtësi. Atje është duke ndodhur padrejtësi. Në rastin e parë kërkohet drejtësi, ndërsa protesta është e orientuar ku atje po ndodh padrejtësi…Kjo Gjykatë është politike, dhe qëllim të vetëm ka dhe nuk do të arrij luftën tonë të drejtë dhe të pastër me gjitha ato që ka bërë ushtria, policia dhe shteti serb në Kosovë“, tha ai.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla në një intervistë për KosovaPress, thotë se nga shteti maqedonas nuk janë siguruar se nuk do të arrestohen bashkëluftëtarët e tyre që do të shkojnë në këtë vend fqinj për të marrë pjesë në protestë.
Syla ka siguruar që edhe protesta në Shkup do të jetë madhështore pasi kanë marrë konfirmime për pjesëmarrje të madhe qoftë nga diaspora, por edhe nga Shqipëria e Lugina e Preshevës.
Protesta në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në të cilët janë të paraburgosur në Hagë është e pesta me radhë. Më 7 gusht të këtij viti është mbajtur protestë e parë në Prishtinë, pastaj në Hagë, në Tiranë dhe së fundmi edhe në Strasburg.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë nga nëntori i vitit 2020. Që të katër janë deklaruar të pafajshëm mbi akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.


