Kryeministri Edi Rama në takim sot, 15 dhjetor, me fermerë dhe sipërmarrës të sektorit për Buxhetin 2026, në Pallatin e Sportit në Elbasan.
16.3 miliardë lekë është mbështetja e shtuar për bujqësinë, blegtorinë, peshkimin, agro-përpunimin dhe agroturizmin, për pensionin rural dhe për trajnimin e fermerëve në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës.
“Sot dua të them qartë se dua që ne të rishikojmë skemën kombëtare të mbështetjes dhe të ndërtojmë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë mes qeverisë dhe gjithësecilit prej jush. Do të jemi në 12 qarqet e vendit për të diskutuar për nevojat, ndryshimet dhe për ta përshtatur me situatën në terren”, iu drejtua ai fermerëve.
Sipas tij, vetëm në vitin e fundit ka pasur 800 aplikime për skemën e mbështetjes dhe grantet.
“300 prej jush kanë nisur procesin e aplikimit në banka dhe një pjesë e mirë kanë përfituar kredi”, theksoi Salla, duke shtuar se fermerët që shesin prodhimet e tyre bujqësore do të kompensohen në masën 10% të vlerës së faturës, e cila duhet të dorëzohet te Tatimet dhe çdo 6 muaj do kalojë direkt e në llogarin5 bankare.
Më tej u ndal te pensionet rurale, që do shkojnë në më shumë se 18 mijë lekë deri në vitin 2030.
2.9 miliard lekë, theksoi ai, do të shkojnë për sigurinë ushqimore, rritje me 12% krahasuar me vitin aktual, ndërsa 3.6 miliardë lekë për rehabilitimin e kanaleve ujitës e kullues, mirëmbajtje të hidrovorëve dhe forcimin e argjinaturave përgjatë lumenjve.
Buxheti për peshkimin do të rritet me 10%, me një kurs të qartë, në përputhje me politikën e përbashkët të BE-së.
Përtej projekteve, 819 milionë lekë janë vetëm për këshillimin dhe informimin bujqësor. Salla paralajmëroi një ligj të ri për agronomët, një zinxhir të plotë e të digjitalizuar për qarkullimin e bimëve në farmaci mjekësore (për herë të parë), përmirësim të portalit apo regjistrave për fermat.
Skema e mbështetjes, Rama: Të gjitha pagesat mbyllen brenda dhjetorit 100%
Për kreun e qeverisë, ky mandat i katërt, është më i vështiri për nga pesha e sfidave. Më tej, renditi arritjet në këtë sektor dhe theksoi se brenda këtij viti do të mbyllen të gjitha pagesat në sajë të Skemës Kombëtare të Mbështetjes.
“Fatmirësisht këtë peshë na e kanë bërë më të lehtë shqiptarët, ju dhe të gjithë ata që si ju, na kanë dhënë plot 83 mandate që të kryejmë me sukses negociatat për BE. Sot kemi trefishuar prodhimin në sera, 2200 hektarë është sot sipërfaqja e tyre.
Në këto tre mandate kemi rritur në 1500 mln tonë prodhimin e perimeve. Në 9 muaj të vitit 2025, gjysmë milliard euro eksporte dhe kemi përmbysur raportin eksport/import, sot jemi në 1 me 3, duke vazhduar të shkojmë drejt tendencës ulëse.
Më shumë rëndësi është që kemi një buxhet jo thjesht të lartë, por shumë më të lartë krahasuar me buxhetin e këtij viti, vetëm me skemën kombëtare, është gati dyfish. Të gjitha pagesat sa i përket skemës do të mbyllen 100% brenda këtij viti”, deklaroi Rama.
“Shqipëria do hapë dyert e Bankës së Zhvillimit”
“Shqipëria do ketë në fund Bankën e Zhvillimit, për të mbështetur projektet e sipërmarrjes shqiptare dhe projektet tuaja. Në ndërkohë që po rivëmë në lëvizje prapë në favorin tuaj, për të mbështetur sipërmarrjet tuaja, kini parasysh që lidhja e re e kredimitit të ndërmarrjkeve të vogla e të mesme te Banka e Shqipërisë që shkon deri në 250 mln euro si fazë e parë, mund të shkojë edhe në 2 mld euro nesër, është aty dhe pret ju, por nga ana tjetër dua ta rinënvizoj se bashkitë duhet të ngrihen në lartësinë e kësaj sfide, të nevojës tuaj për financë, partneritet, mbështetje me dije apo institucionale”, theksoi kryeministri.
Sipas tij, bashkitë duhen vënë nën presion pozitiv nga qeveria dhe fermerët.
“Ju nga poshtë, ne nga lart! Kryetarët e bashkive pas reformës administrative-territoriale janë kujdestarë qoftë të qytetit, por edhe të fshatit. Por sot në shumicën e rasteve e shohin për një kanal më shumë, një pastrim më shumë, por më e rëndësishmja është toka që prodhon dhe ata që prodhojnë te toka”, shtoi ai.
“Të ndërtojmë aleancat, paraja të mos mungojë për projekte, investime, transformimet në ferma, jo vetëm nga një drejtimn, por nga buxheti, fondet europiane, nga agro-krediti, linja e re e Bankës së Shqipërisë dhe Banka e Zhvillimit.”
Por për këto, numri një i kabinetit, tha se duhet kapaciteti i duhur dhe cilësia më e lartë.


