Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pas përmbytjeve në Durrës. Ai ka ironizuar akuzat e opozitës, duke deklaruar se e njëjta gjë me përmbytje ka ndodhur edhe në disa vende të rajonit, por askush nuk ka fajësuar qeveritë e vendeve të tyre.
“Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, po hiç, asnjë llaf”, tha Rama.
Reshjet e dendura të shiut shkaktuan përmbytje të rënda ditën e djeshme në të gjithë vendin, veçanërisht në Durrës dhe Lezhë, duke paralizuar rrugë, lagje, autostradën Tiranë–Durrës dhe duke pezulluar aktivitetin në disa shkolla e tregje.
Problematikat vijojnë në zonat periferike të Durrësit, ku rreth 800 banesa dhe dhjetëra biznese janë përmbytur, ndërsa Emergjencat Civile dhe ushtria janë në terren.


