Kryeministri Rama është nderuar me medaljen më të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe nga Presidenti Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan.
Rama ka publikuar në rrjetet sociale momente nga pritja në Pallatin Presidencial të Abu Dhabit duke e cilësuar “videokartolinë e një momenti të paharrueshëm”.
Medalja, që mban emrin e themeluesit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikut Zayed përfaqëson vlerësimin më të lartë shtetëror dhe i akordohet personaliteteve që kanë kontribuar në forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ky nderim i jashtëzakonshëm vjen si shprehje e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe e vlerësimit për rolin dhe angazhimin e Kryeministrit Rama në promovimin e bashkëpunimit dypalësh dhe vizionit të përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm.
Rama ka theksuar se ky vlerësim i dedikohet çdo shqiptari që i ka besuar udhëheqjen dhe përfaqësimin e vendit, duke e konsideruar medaljen një nder për Shqipërinë dhe përfaqësimin e saj në arenën ndërkombëtare.
Kryeministri Rama zhvilloi një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe në kuadër të “Javës së Qëndrueshmërisë 2026”, me ftesë të Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe.


