Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Berlini se Shqipëria po shënon një rekord për sa i takon shpejtësisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Berlin për të marrë pjesë në Global Dialogue (BGD), forumi ndërkombëtar i nivelit të lartë që zhvillohet çdo vit në kryeqytetin e Gjermanisë.
l ftuar në tryezën e dialogut përballë moderatorit të njohur Ali Asllan, Rama foli për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
Kryeministri theksoi se “kemi pasur një vit të mbarë po ta vendosim në kontekstin e Europës dhe të gjërave si po shkojnë përgjithësisht”.
“Procesi i analizës së legjislacionit ka përfunduar gjatë 11 muajve të fundit. Kemi çelur 5 nga 6 grupkapitujt dhe presim të çelim grupkapitullin e fundit nga fundi i vitit, që praktikisht do të shënojë një rekord për sa i takon shpejtësisë në proces”, tha Rama.
Sipas tij, “në këtë kohë Europa është plotësisht e zgjuar dhe nuk ishte kështu më parë”.
“Fatkeqësisht për këtë duhej agresioni brutal (Rus…shënim i redaktorit) kundër Ukrainës. Por tashmë mund të shohim një dallim të madh. Më parë BE thjesht thoshte se Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm shumë gjeopolitikisht, por vetëm me fjalë. Tashmë edhe veprat po tregojnë se ka një angazhim të mirëfilltë për të na sjellë më pranë dhe jo vetëm në nivelin e Komisionit, që e kanë thënë edhe më parë, por tashmë është edhe në nivelin e Këshillit dhe shteteve anëtare”, u shpreh Rama.
Rama u shpreh se nëse i referohesh hartave, Ballkani Perëndimor është praktikisht “kërthiza” e BE-së.
“Në historinë e hartave, BE është i vetmi realitet gjeografik e gjeopolitik që ka dy kufi. Zakonisht çdo subjekt gjeografik e gjeopolitik ka një kufi të jashtëm. BE ka dy kufi dhe brenda perimetrit të kufirit të brendshëm jemi ne. Në një farë mënyre jemi ‘kërthiza’ e BE-së”, shtoi Rama.
Sipas tij, hezitimi për t’u bashkuar me këtë pjesë është absolutisht një ide jo e mirë.
“Unë besoj fort që për të gjitha ato arsye të mira është BE që ka nevojë për Ballkanin Perëndimor si pjesë e realitetit të vetë, po aq sa kemi nevojë edhe ne për BE-në”, tha kryeministri.


