Të paktën një person u vra dhe dhjetë të tjerë u plagosën në Kiev gjatë natës, pasi një valë raketash balistike, të hedhura nga Rusia, shkaktoi shpërthime të fuqishme dhe zjarre në mbarë kryeqytetin ukrainas, thanë autoritetet ushtarake të qytetit më 25 tetor.
Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia kreu një sulm të madh të përzier gjatë natës në të gjithë vendin, duke lëshuar nëntë raketa balistike Iskander-M nga rajonet Rostov dhe Kursk dhe 62 dronë sulmues nga disa drejtime, përfshirë Kursk dhe Oryol në Rusi dhe Hvardiiske në Krimenë e pushtuar.
Ushtria tha se mbrojtja ajrore rrëzoi katër raketa dhe 50 dronë, ndërsa konfirmoi goditje në 11 lokacione, teksa vlerësimet e mëngjesit ende ishin në zhvillim e sipër.
Përshkallëzimi gjatë natës gjithashtu përkoi me një sinjal të ri diplomatik nga Moska.
Kirill Dmitriev, i dërguari i posaçëm i presidentit rus, Vladimir Putin, për investime dhe bashkëpunim ekonomik, tha se beson që Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe Rusia janë “mjaft afër” një zgjidhjeje diplomatike.
Dmitriev ndodhet në Shtetet e Bashkuara dhe raportet e mediave amerikane sugjerojnë se ai do të zhvillojë bisedime me të dërguarin e posaçëm të Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, në Miami më 25 tetor.


