Shabani: Mazhoranca i dha përparësi funksionimit të shtetit

Mos i humb

Endri Shabani reagoi sot pas zgjedhjes si Avokat i Popullit nga Kuvendi, duke e cilësuar procesin si “një votëbesim sa të rëndësishëm dhe personalisht prekës, aq edhe surprizues për nga dinamika e zhvillimit në sallën e Kuvendit”.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Shabani u shpreh i befasuar nga qëndrimi i deputetëve të opozitës, të cilët sipas tij, fillimisht e mbështetën me firma për kandidaturën, por më pas vendosën të mos e votojnë në seancë.

“Mbetem akoma i befasuar me deputetët e opozitës, të cilët fillimisht më inkurajuan me dashamirësi, më dhanë firmat e tyre sipas ligjit dhe më uruan sukses, por më pas vendosën ta braktisnin kandidaturën time a thua se nuk ishte e tyrja”, shkruan Shabani.

Ai falënderoi 35 deputetët opozitarë që firmosën kandidimin e tij, duke theksuar se do të punojë në mënyrë të tillë që të mos japë arsye për pendim apo dyshim.

Gjithashtu, Shabani vlerësoi qëndrimin e deputetëve të mazhorancës, të cilët fillimisht nuk i dhanë firma për kandidimin, por në votimin final e mbështetën unanimisht.

“Nga ana tjetër, deputetët e mazhorancës, fillimisht refuzuan të më jepnin qoftë edhe një firmë, megjithëse disa prej tyre i kam miq, me argumentin se PS nuk do të hynte në këtë punë të opozitës, por në momentin final më votuan që të gjithë, madje me votë të fshehtë, duke më besuar detyrën e Avokatit të Popullit. E gjithë kjo dinamikë ishte diçka që s’do ta besoja dot po të ma tregonin më parë dhe nuk e lija dot pa e shënuar.

“Megjithatë, me keqardhje për vijën e pakuptueshme të partisë së tyre, dua t’i falënderoj sinqerisht 35 deputetët e opozitës, të cilët me firmat e tyre më dhanë mundësi të kandidoj për këtë funksion kushtetues. I siguroj se nuk do t’u jap arsye për të menduar ndonjëherë se bënë gabim që më mbështetën në fillim apo se bënë gjënë e duhur që nuk më votuan në fund”, tha ai.

Shabani theksoi se mazhoranca i dha përparësi funksionimit të shtetit, pavarësisht se ai vetë ka qenë aktivist i opozitës dhe ka bërë deklarata që “mund të mos u kenë ardhur mirë” deputetëve socialistë.

“Gjithashtu, nuk mund të mos i falënderoj po aq sinqerisht deputetët e mazhorancës, pavarësisht se jam i vetëdijshëm që, më shumë se për mua, vota e tyre ishte një akt pjekurie politike për të zgjidhur ngërçin e stërzgjatur të institucionit dhe hedhur një hap domethënës për procesin e negociatave, ku ky ngërç shënohej si detyrë e pakryer shtëpie.

Dua të vlerësoj në veçanti faktin që duke më dhënë votën, deputetët e mazhorancës i dhanë përparësi si skuadër funksionimit të shtetit, dhe kapërcyen njerëzisht faktin që unë, si aktivist i angazhuar në radhët e opozitës, kam bërë dhe thënë gjëra për të cilat me siguri nuk iu ka ardhur mirë. U shpreh respekt për nivelin dallueshëm më të lartë politik dhe i siguroj se në kryerjen e kësaj detyre të rëndësishme do të bëj më të mirën për të gëzuar respektin e të gjithëve”, theksoi Shabani.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit