Sipas “New York Times” dy diplomatët nga ambasada kineze në Uashington u ndaluan në postbllokun e bazës ushtarake në shtetin Virxhinia, ku ata kishin shkuar me një automjet, brenda të cilit gjendeshin edhe bashkëshortet e tyre.
Diplomatëve iu komunikua se duhej të ktheheshin prapa pasi nuk kishin leje për të hyrë në zonën [ushtarake], por automjeti vazhdoi rrugën përkundër paralajmërimit.
Më pas makinës diplomatike iu ndërpre rruga me zjarrfikëse dhe diplomatët kinezë u kishin thënë autoriteteve amerikane se ata nuk i kishin kuptuar udhëzimet në anglisht dhe kishin humbur rrugën.
Ndërsa zyrtarët amerikanë pretenduan se ata nuk besojnë që incidenti të kishte qenë kaq ‘i pafajshëm’ dhe se diplomatët kinezë mund të ishin përpjekur të hynin në bazë për të testuar nivelin e sigurisë.
Dëbimi në shtator i diplomatëve kinezë nga Uashingtoni nuk ishte përmendur as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe as nga Kina, shkruan “New York Times” në lajmin e saj dhe bën të ditur se kjo ngjarje i ka shtuar shqetësimet në administratën e Trumpit se Kina po i zgjeron përpjekjet e saj për spiunazh në ShBA.
Për herë të fundit ShBA-ja kishte deportuar në vitin 1987 dy diplomatë të ambasadës kineze në Uashington. Zyrtarët amerikanë thanë se Uashingtoni kishte shfaqur një qëndrim më të ashpër kundër Kinës në çështjen e spiunazhit, vijon lajmi i “New York Times”.