SHBA – Machado, fituesja e çmimit “Nobel për Paqen” i dorëzon Trump medaljen e saj

Mos i humb

Një takim me një simbolikë të veçantë u zhvillua dje në Shtëpinë e Bardhë, ku liderja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, i ofroi presidentit amerikan, Donald Trumpit çmimin “Nobel për Paqe”- që i ishte akorduar asaj në muajin dhjetor, një veprim që nxiti debat dhe reagime në arenën ndërkombëtare, sipas BBC.

Trump e konfirmoi takimin përmes një postimi në “Truth Social”, duke e cilësuar Machado, një grua të jashtëzakonshme dhe gjestin e saj, një shenjë respekti të ndërsjellë.

“Ishte një nder i madh të takoja sot María Corina Machadon nga Venezuela. Ajo është një grua e jashtëzakonshme që ka kaluar shumë vështirësi. María më ofroi çmimin e saj “Nobel për Paqe” për punën që kam bërë. Një gjest kaq i bukur respekti të ndërsjellë. Faleminderit, María!”, tha ai.

Gjithashtu, Machado konfirmoi takimin me liderin amerikan, duke deklaruar se gjatë drekës që pati me Trump në Shtëpinë e Bardhë pa praninë e gazetarëve, ajo i kishte dorëzuar medaljen e çmimit “Nobel për Paqe”.

“Ia dorëzova presidentit të SHBA-së medaljen, çmimin “Nobel për Paqe”, tha ajo, duke e lidhur këtë veprim me një precedent historik nga Amerika Latine.

Sipas saj, ajo iu referua Simón Bolívar dhe faktit se, 200 vjet më parë, Marquis de Lafayette i kishte dhuruar atij një medalje me portretin e George Washingtonit, të cilën Bolívar e mbajti gjatë gjithë jetës së tij.

“200 vjet më vonë, populli i Bolívar ia kthen trashëgimtarit të Washingtonit medaljen, në këtë rast çmimin “Nobel për Paqe”, si njohje e angazhimit të tij unik për lirinë tonë”, tha Machado.

Komiteti Norvegjez i Nobelit ka sqaruar se çmimi “Nobel për Paqe” nuk mund të dhurohej apo të transferohej, pasi krijonte një çështje institucionale lidhur me simbolikën e këtij veprimi.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi takimin, duke theksuar se presidenti Trump kishte bërë një “vlerësim realist” lidhur me mbështetjen popullore të Machado.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi më herët se zgjedhjet në Venezuelë nuk do të ishin temë diskutimi gjatë takimit, ndërsa Trump synonte të informohej mbi situatën në vend.

“Ne gjithmonë do të mund të mbështetemi te presidenti Trump për lirinë e Venezuelës”, tha Machado pas takimit.

Politikania, e cila u largua së fundmi nga Venezuela – ku kishte qëndruar e fshehur për muaj të tërë – synon të sigurojë një rol të ardhshëm në qeverisjen e vendit të saj, ndërsa gjesti i çmimiT “Nobel” merr një karakter të qartë politik dhe simbolik.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit