Një tren, i cili ishte nisur dje nga Malaga në orën 18:40 me destinacion stacionin Puerta de Atocha të Madridit, me 317 pasagjerë, nxori nga shinat tre vagonët e tij të fundit duke u përplasur me një tjetër tren Renfe që shkonte në Huelva, i cili gjithashtu doli nga shinat.
Përplasje fatale e trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë ka shkaktuar sipas raportimeve 39 viktima dhe 73 të plagosur, ku 24 prej tyre janë në gjendje të rëndë, nga të cilët katër janë të mitur.
Një numër i madh forcash shpëtimi mbërritën në vendngjarje duke u përpjekur të nxjerrin njerëzit e bllokuar nga rrënojat.
Sipas ministrit spanjoll të Transportit, Oscar Puente, linja ku ndodhi tragjedia ishte modernizuar së fundmi.
Ai tha të hënën se aksidenti hekurudhor në Adamuz (Córdoba) është “i çuditshëm dhe i vështirë për t’u shpjeguar” pasi treni që shkaktoi aksidentin është relativisht i ri dhe infrastruktura është rinovuar kohët e fundit.
Ndërkaq më shumë se 200 trena janë prekur nga pezullimi i trafikut hekurudhor në linjat me shpejtësi të lartë midis Madridit dhe qyteteve andaluziane të Seviljes, Kordobës, Malagës dhe Huelvës.


