Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka zhvilluar këtë të hënë, më 19 janar, një konferencë për shtyp me fokus ftesën e Donald Trump, drejtuar kryeministrit të vendit Edi Rama, për t’ju bashkuar “Bordit të Paqes“, Organizatës së re Ndërkombëtare të ideuar nga presidenti i SHBA-ve.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Spiropali e konsideroi këtë ftesë një vlerësim të lartë që i është bërë Shqipërisë nga presidenti amerikan Donald Trump.
“Sot kam kënaqësi të ndaj me ju disa komente mbi një zhvillim me rëndësi të veçantë për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, e për mënyrën sesi dinamika krejt e re e politikës sonë të jashtme në dekadën e fundit, po sjell në vazhdimësi rezultate të paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë. Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, përmes një letre për Kryeministrin Edi Rama, ka ftuar Republikën e Shqipërisë për t’iu bashkuar një organizmi të ri ndërkombëtar të quajtur ‘Bordi i Paqes’, në cilësinë e ‘Vendit Anëtar Themelues’. Në krye e mbi të gjitha, duhet pranuar se kjo ftesë është një vlerësim i lartë, për rolin e ri që Shqipëria ka marrë ndër vite në çështjet e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, në rajonin tonë sigurisht, por edhe në gjirin e organizatave ndërkombëtare. Nuk ka dyshim se ftesa e Presidentit të Amerikës është edhe një vlerësim i drejtëpërdrejtë për lidershipin e Kryeministrit Edi Rama, i cili është ftuar personalisht si anëtar i ‘Bordit të Paqes’.“, tha Spiropali.
Spiropali: Lumë marrëzish, s’ka asnjë pagesë!
Megjithatë ministrja kritikoi reagimet e shumta që kanë qarkulluar në media dhe nga opozita duke hedhur poshtë deklaratat se anëtarësimi në bord qenka me pagesë.
“Fatkeqësisht, edhe për një ngjarje me një peshë të tillë, krejt të veçantë për Shqipërinë e vogël, ky lajm i mirë për emrin e Shqipërisë e të shqiptarit në botë, është pasuar nga një lumë marrëzish të derdhura në mexhlisin e informimit publik. Ndërkohë që Shqipëria ftohet si bashkë-ndërtuese e një mekanizmi të ri ndërkombëtar, i cili synon ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe funksionale në botë, duke nisur me një nga sfidat më të ndërlikuara dhe më të ndjeshme të sigurisë globale, siç është e ardhmja e rripit të Gazës, opinioni publik shqiptar sulmohet nga brenda me gjithëfarë fantazish të kundërshtarëve të kësaj qeverie. Pikërisht në një moment me simbolikë e peshë të veçantë, ku Shqipëria thirret si bashkë-themeluese e një qendre të re diskutimesh e vendimmarrjesh me impakt global, jo në Honolulu, po në Shtëpinë e Bardhë, periferia e skenës sonë politike përndizet a thua se Shqipëria u përjashtua me turp, jo ftua me nderim të posaçëm.
Teksa ky zhvillim dërgon gjithashtu mesazhin e Amerikës së re, se në politikën ndërkombëtare të sotme, madhësia gjeografike apo demografike e një vendi nuk është faktor përcaktues, po vlejnë mbi të gjitha autenticiteti, koherenca dhe aftësia për t’i kontribuar paqes, stabilitetit e sigurisë, çka Shqipërisë ia njohin e çmojnë të gjithë prej disa vitesh tanimë – në Tiranë plas marazi e marrin dhenë lloj-lloj tregimesh me miliarda dollarë që do paguakemi për bordin, e me palestinezët që do i sillkemi në Shqipëri në këmbim të prezencës sonë në atë bord. Tamam kur kjo ftesë e drejtëpërdrejtë e Presidentit të SHBA për Kryeministrin e Shqipërisë, për t’iu bashkuar Bordit të Paqes si bashkë-themelues, konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë në partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë pasqyrat mediatike mbushen me shëmbëlltyrat e dëshpërimit opozitar, a thua se në Bordin e Paqes do të ulet partia e një pjese të shqiptarëve, e jo Shqipëria e të gjithë shqiptarëve, kudo janë, në çdo truall ku jetojnë ata që flamur mbi të gjithë flamujt, kanë atë të Skënderbeut e të Ismail Qemalit.”, shtoi ajo.
Spiropali i përgjigjet frikës së analistëve: Nuk i kundërvihet OKB-së!
Mes të tjerash, ministrja Spiropali iu përgjigj thashethemeve dhe frikës që ka qarkulluar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë se ky bord i vihet kundër OKB-së: “Nuk i kundërvihet OKB-së, përkundrazi, rrjedh nga një rezolutë e OKB-së.”
“Në asnjë moment nuk i mbivendoset Kombeve të Bashkuara nga çfarë shohim nga statuti, por është një mekanizëm shtesë bashkëpunimi që buron nga ajo.”, shtoi ministrja.
Sipas ministres, kjo ftesë e drejtpërdrejtë e presidentit Trump konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjelltë të stabilitetit strategjik.
Ajo mori dy shembuj të shteteve të tjera që janë ftuar, Argjentinën dhe Turqinë, ku tha se nuk ka pasur debate në lidhje me madhësinë e bordit, por atje përfshirja e vendit është konsideruar diçka e mirëpritur. Sipas saj, e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe në Shqipëri.
“Për Shqipërinë e vogël kjo është diçka e jashtëzakonshme me një përmasë dhe peshë historike”, tha Spiropali.
Ajo u shpreh se statusi që do të ketë Shqipëria si anëtare themeluese i jep një mundësi fantastike të cilën qeveria e konsideron një përgjegjësi të lartë shtetërore.
“Anëtarët themelues kanë zë të barabartë dhe peshë reale në organizimin strategjik të bordit. Nuk është thjesht një nder i madh, por një përgjegjësi e lartë shtetërore”, u shpreh ajo.
Sipas ministres, Bordi i Paqes lind në një kohë ndryshimesh të mëdha për botën dhe ofrohet si një prirje e re që sfidon inercinë në terrenet e konflikteve të shtresëzuara me dekada të tëra, duke synuar ndërtimin e një paqeje që funksionon dhe i reziston kohës.
Spiropali shtoi se ftesa e presidentit Trump “zhbën fabrikimet” lidhur me qasjen e administratës Trump ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama. Ministrja tha se ato kulmuan me vendimin e brendshëm të SHBA-ve për të rishikuar lejet e qëndrimit dhe të punës për dhjetëra vende.
“Por besoj se kjo ftesë është e mjaftueshme për të zhbërë të gjitha fabrikimet, që kanë qarkulluar kohët e fundit lidhur me qasjen e administratës së presidentit Trump ndaj qeverisë sonë apo vetë kryeministrit Rama, të cilat kulmuan me agresionin dizinformues ndaj vendimit të brendshëm të SHBA-ve për të rishikuar politikën e vizave të qëndrimit e lejeve të punës në Amerikë për gati gjysmën e vendeve me të cilat SHBA-të kanë marrëdhënie diplomatike.
Të gjithë ata që pa asnjë përgjegjshmëri publike, u turrën ta helmojnë publikun me parrullën ‘SHBA-të vendosën Shqipërinë në listën e zezë’, duke komentuar me ngazëllim gënjeshtrën se vendimi në fjalë, na lidhej me ndëshkimin e narkoshtetit të tyre imagjinar, e kanë marrë përgjigjen as më shumë e as më pak, po direkt nga Presidenti Donald Trump, i cili ka nënshkruar në letrën e tij se, Shqipëria është një partner i mrekullueshëm dhe Edi Rama është një udhëheqës i respektuar botërisht.”, deklaroi ajo.
Sipas Statutit, ministrja Spiropali thotë se anëtarët themelues kanë zë të barabartë dhe peshë reale në drejtimin strategjik të këtij organizmi, prandaj sipas saj kjo ftesë nuk është vetëm një nder i madh, po është edhe një përgjegjësi e lartë shtetërore.
Ministria e Jashtme e dështuar, Spiropali: Jam dakord!
Gjatë një konference për mediat këtë të hënë, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me kritikat e javës së kaluar të kryeministrit Edi Rama dhe thirrjen e tij për një reformim të dikasterit që ajo drejton
Ministrja Spiropali u shpreh se bie dakord me deklaratën e kryeministrit pasi edhe ajo mendon që ky dikaster ka nevojë për një reformim.
“Në dukje ka një kontradiktë mes nivelit të përfaqësimit dhe respektit që Shqipëria ka krijuar në nivelin ndërkombëtar dhe asaj që u tha për nevojën për një strukturim, reformim të shërbimit të jashtëm, të trupës diplomatike, të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, konstatim për të cilin jam dakord. Në këto 100 ditë që unë drejtoj Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, kam parë këtu njerëz me ekspertizë të jashtëzakonshme, me kontribut shumë të madh në trupën diplomatike ,në shërbimin e jashtëm në shërbim të këtij vendi, ashtu siç padiskutim, kemi bërë një analizë të nevojave për reformim, duke nisur nga ligji për shërbimin e jashtëm që kalon në Kuvendin e Shqipërisë më 28 janar që do i japë më shumë hapësirë meritokracisë, promovimit të talenteve të reja, hapjes së ministrisë për të rinj apo kontributorë të tjerë, që kanë punuar në organizata të jashtme dhe duan të japin një kontribut për Shqipërinë.”, tha ajo.
Sipas Spiropalit, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme duhet të ngrihet në një nivel tjetër përgjegjësie publike, por edhe të përfaqësimit dhe të diplomacisë publike, për shkak të rolit të ri që merr Shqipëria dhe procesit për anëtarësim në BE.
“Në këto 100 ditë kemi patur një aktivitet shumë të gjerë dhe intensiv që ju e ekni ndjekur dhe pasqyruar, si me vendet e BE, me vende që kanë presidencën e BE-së, vende të rëndësishme që ndikojnë drejtpërdrejtë në dhe viti 2026 do jetë viti kur kjo mësymje diplomatike duhet të jetë më eficente, më efikase. Plani për 27 vizita në 27 vende anëtare brenda këtyre dy viteve.”, tha ministrja duke shtuar se ky është një projekt shumë ambicion që kërkon angazhimin e gjithë trupës diplomatike që duhet të ngrihet në lartësinë e këtij misioni.
Më 18 janar, kryeministri Edi Rama shpërndau ftesën që mori nga presidenti Trump që Shqipëria të jetë pjesë e Bordit. Ai e ka ftuar Ramën për të përfaqësuar Shqipërinë që të bashkohet si shtet anëtar themelues dhe të bëhet palë në Statutin e Bordit të Paqes.
Kryeministri thotë se kjo arritje do të bëjë së bashku një grup kombesh të dalluara që janë gati të marrin mbi supe përgjegjësinë fisnike të ndërtimit të paqes së përhershme.


