Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është “e mundshme të gjendet një zgjidhje me Europën” për çështjen e Groenlandës. Këtë deklaratë ai e bëri për televizionin NewsNation, pak para se të hipte në bordin e avionit presidencial Air Force One.
“Me shumë gjasë do të arrijmë të gjejmë një zgjidhje me Europën”, u shpreh Trump, duke shtuar se kjo mund të ndodhë “ndoshta edhe në Davos, në ditët në vijim”.
Trump përsëriti se Groenlanda është “e rëndësishme për sigurinë kombëtare, por edhe për sigurinë ndërkombëtare”. Ai theksoi gjithashtu se SHBA-të po ndërtojnë sistemin mbrojtës të quajtur “Golden Dome” dhe se “Groenlanda e bën atë shumë më efektiv”.
Deklaratat vijnë në prag të pjesëmarrjes së Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku pritet që çështja e Groenlandës të jetë një nga temat më të nxehta të diskutimit mes Shteteve të Bashkuara dhe liderëve europianë.
Trump-i kishte planifikuar të mbërrinte në Davos të mërkurën, por një problem i vogël elektrik në avionin Air Force One e detyroi atë të kthehej pas. Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti do të udhëtojë drejt Davosit me një avion tjetër, ndërsa mbetet e paqartë nëse vonesa do të ndikojë në axhendën e tij.
Presidenti amerikan tha se ka “shumë takime të planifikuara për Groenlandën” dhe shtoi se “gjërat do të shkojnë mjaft mirë” për këtë territor.
I pyetur nga BBC nëse një përçarje e mundshme e NATO-s do të ishte një çmim që ai do ta pranonte për Groenlandën, Trump u shpreh se “askush nuk ka bërë më shumë për NATO-n se unë” dhe se “NATO do të jetë e lumtur dhe ne do të jemi të lumtur”, duke theksuar se aleanca është e nevojshme për sigurinë globale. Megjithatë, ai vuri në dyshim nëse NATO do t’i vinte në ndihmë SHBA-ve në rast nevoje.
NATO ka aktualisht 32 vende anëtare dhe bazohet në parimin e mbrojtjes kolektive të përcaktuar në Nenin 5, sipas të cilit një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.
Trump nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake për të marrë Groenlandën. I pyetur nga NBC News nëse do ta përdorte forcën, ai u përgjigj shkurt: Pa koment.
Ministrja e Industrisë dhe Burimeve Natyrore e Groenlandës, Naaja Nathanielsen, tha për BBC Newsnight se groenlandezët janë “të hutuar” nga kërkesat e presidentit amerikan.
“Ne nuk duam të jemi amerikanë dhe këtë e kemi bërë shumë të qartë”, u shpreh ajo, duke shtuar: “Çfarë vlere i jepni kulturës sonë dhe të drejtës sonë për të vendosur për të ardhmen”?
Para Davosit, Trump publikoi pamje ekrani që, sipas tij, tregonin mesazhe nga Macron dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Në to, Rutte shprehej i gatshëm të gjente një zgjidhje për Groenlandën, ndërsa Macron thoshte se “nuk e kupton se çfarë po bën”, por ofronte organizimin e një takimi me liderë të tjerë në Paris.


