Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) ka festuar sot 74-vjetorin e themelimit të tij, duke shënuar më shumë se shtatë dekada në shërbim të dijes, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të bujqësisë shqiptare.
Ceremonia e këtij përvjetori u shoqëruan me organizimin e Konferencës Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë, ku morën pjesë Kryeministri Edi Rama, pedagogë, ekspertë nga Europa dhe vende të tjera të botës.
Në qendër të diskutimeve ishin sfidat dhe mundësitë e një bujqësie të qëndrueshme, që respekton natyrën dhe kontribuon në fuqizimin e ekonomisë rurale.
Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, u shpreh se ky përvjetor përkon me një periudhë transformimi të thellë për universitetin.
“Sot UBT feston 74 vite histori, duke mbetur kështjella e dijes në bujqësi. UBT ka kaluar kohë të vështira, por ka ditur të ngrihet më i fortë. Së fundi kemi nisur reforma të rëndësishme që po e kthejnë universitetin në një kampus modern, që performon dije dhe krijon standarde të reja akademike”, tha ai.
Sipas Sallakut, këto reforma po reflektohen edhe në interesin e studentëve. “Këtë vit kemi shënuar një rritje të ndjeshme të regjistrimeve, me rreth 20% më shumë studentë krahasuar me një vit më parë. Kjo tregon se të rinjtë po e shohin UBT-në si një mundësi reale për formim profesional dhe punësim”.
Rektori kujtoi se ka patur një periudhë kur Universiteti kishte humbur identitetin e tij, por falë vizionit të ri dhe mbështetjes së qeverisë, institucioni po kthehet në një simbol të dijes dhe kërkimit shkencor. “UBT është dëshmi se me këmbëngulje dhe bashkëpunim çdo institucion mund të ringrihet. Falë reformave të ndërmarra dhe mbështetjes së Kryeministrit Edi Rama, sot jemi në rrugën e duhur për t’u bërë një partner i besueshëm akademik dhe shkencor, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare”, theksoi ai.
Ai u ndal në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe vizionin për një bujqësi të gjelbër.
Sallaku falënderoi partnerët ndërkombëtarë që kanë kontribuar në suksesin dhe modernizimin e universitetit, si Gjermania, Austria dhe Kazakistani, teksa vuri në dukje se, “një vend të veçantë në këtë bashkëpunim zë Universiteti BOKU i Vjenës, i cili është tashmë pjesë e rrjetit akademik të UBT-së, duke i dhënë një dimension të ri zhvillimit shkencor dhe akademik të këtij institucioni”.
“Falë bashkëpunimit me rrjetet shkencore ndërkombëtare, me universitetet europiane, me ekspertët e diasporës shqiptare dhe me partnerët tanë nga SHBA, UBT është bërë një institucion i njohur në arenën ndërkombëtare. Ne po ndërtojmë një histori suksesi që forcon pozicionin e Shqipërisë në fushën e kërkimit bujqësor”, u shpreh Sallaku.
Në përfundim të fjalës së tij, ai nënvizoi se misioni i UBT-së është që të përkthejë zhvillimet ndërkombëtare në dije të zbatueshme për fermerët shqiptarë. “Në një kohë kur bota po flet për zhvillimin green, UBT ka misionin të bëjë që ky zhvillim të kthehet në dije konkrete dhe në teknologji të matshme për fermerin tonë. Shqipëria ka nevojë për një universitet të fortë që kontribuon me dije dhe inovacion në bujqësinë e së ardhmes”, përfundoi Rektori.
Punimet e Konferencës synojnë të forcojë lidhjen midis shkencës, inovacionit dhe praktikave bujqësore, si pjesë e vizionit për një Shqipëri Europiane 2030, ku teknologjia dhe dijet moderne janë aleatët më të fortë të fermerëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Universiteti Bujqësor i Tiranës mbetet një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në vend, me kontribut të pazëvendësueshëm në zhvillimin e bujqësisë, shkencave të jetës dhe mjedisit. Me një histori që fillon në vitin 1951, UBT ka përgatitur mijëra specialistë që kanë udhëhequr sektorin bujqësor shqiptar ndër vite. Sot, në përvjetorin e 74-t, ky institucion po hyn në një fazë të re të modernizimit, ku kërkimi shkencor, teknologjia dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë shtyllat mbi të cilat po ndërtohet e ardhmja e tij


