Vrasja e Martin Canit, Manastirliu: Mos politizoni ngjarjen

Mos i humb

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu duke iu përgjigjur opozitës në interpelancën e kërkuar lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, muajin që kaloi jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë, theksoi se “po përsëris thirrjen time, por besoj edhe të çdo prindi dhe çdo mësuesi, për të mos e politizuar një ngjarje, që vetëm politike nuk është”.

Në fjalën e saj ministrja Manastirliu tha se “për të mos e shfrytëzuar për politikë dite, një ngjarje që nëse duam ta parandalojmë në të ardhmen, duhet që gjithësecili të bëjë pjesën e vet, sipas përgjegjësisë, ne më të madhe, e ju pjesën tuaj, por ama ta bëjmë me përgjegjshmëri. Para se të vazhdoj me sqarimet e hollësishme mbi gjithçka që kemi bërë, po bëjmë dhe do të bëjmë për sigurinë e nxënësve në shkolla, dua të më lejoni të them dy fjalë për atë që kemi parë, edhe në këtë sallë se si u trajtua kjo ngjarje”.

Manastirliu u shpreh se “mendoj se të shfrytëzosh një ngjarje fatkeqe për përfitime politike, është të tregosh mungesë të thellë respekti ndaj atyre që vuajnë dhe kanë vuajtur”.

“Ne jemi këtu për të diskutuar dhe për të ofruar mbështetje, për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme. Nuk jemi këtu për ta kthyer dhimbjen e njerëzve në platformë për politikën e ditës, sepse unë besoj se të shfrytëzosh dhimbjen e të tjerëve, do të thotë ta kesh ndjeshmërinë në nivele të papërfillshme. Njerëzit i respektojmë duke punuar për të luftuar shkaqet e problemeve, duke punuar dhe bashkëpunuar po deshët, se nuk është herezi të punojmë bashkë, për t’i hyrë në themel, për të bërë përmirësimet aty ku ka nevojë, për një dhe vetëm një qëllim: të shmangim që këto ngjarje të ndodhin në të ardhmen”, nënvizoi Manastirliu.

Kjo, vijoi ministrja, do të thotë të punosh për njerëzit, kjo do të thotë ta ndjesh dhimbjen, dhe jo ta marrësh hallin e tyre dhe ta kthesh në cirk politik.

“Institucionet arsimore janë vetëm hallkat në garantimin e sigurisë dhe hallka më e rëndësishme në edukimin qytetar të fëmijëve tanë, çka është një detyrë që fillon që te bërthama e shoqërisë, që është familja. Ministria e Arsimit dhe Sportit pa dyshim që ka rol kryesor dhe përgjegjësi, për krijimin e ambienteve të sigurta dhe të shëndetshme në shkollat tona. Dua që të siguroj qytetarët, se për ngjarjen në fjalë janë ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e plotë të saj nga organet kompetente”, tha Manastirliu.

Nga ana tjetër, shtoi ministrja, MAS ka ngritur grupin e punës për monitorimin e zbatimit të protokolleve të punës në çdo hallkë përgjegjëse.

“Ngjarjet tragjike që përfshijnë dhunën mes të miturve janë të dhimbshme dhe kërkojnë zgjidhje serioze dhe të koordinuara. Çdo formë dhune, sidomos ajo mes të miturve është një fenomen që shqetëson të gjithë shoqërinë dhe kërkon angazhimin e të gjitha palëve: familjes, shkollës, institucioneve dhe komunitetit”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu theksoi se “Ministria e Arsimit dhe Sportit është tërësisht e angazhuar për fuqizimin e mëtejshëm të mekanizmave të parandalimit të dhunës në shkolla, rishikimin e protokolleve të ndërhyrjes së shpejtë të oficerëve të sigurisë, punonjësve socialë dhe psikologëve në shkolla; zgjerimin e platformave proaktive të sinjalizimit të hershëm, të çdo forme të dhunës, bullizmit përfshirë atë online dhe forcimin e shërbimeve sociale në strukturat arsimore dhe komunitet, masa, që do pasqyrohen në Planin Kombëtar të Veprimit për parandalimin e çdo forme të dhunës, bullizmit dhe rritjes së sigurisë në shkolla, puna për të cilin ka nisur”.

Duke folur për masat e deritanishme, Manastirliu tha se është rritur numri i oficerëve të sigurisë, punonjësve socialë dhe psikologëve në shkolla.

“Për të rritur sigurinë në shkolla për herë të parë nga 2018 shtuam nje rol te ri ne shkolla, oficerin e sigurisë. Nga 15 oficerë sigurie në fillimet e këtij shërbimi, sot kemi 240 oficerë dhe po e çojmë në 276 numrin e oficerëve të sigurise, që ushtrojnë detyrën e tyre jo vetëm në shkolla të mesme, por edhe në shkolla 9-vjeçare. Duke u bazuar në raportin e numrit të nxënësve në arsimin publik, raporti punonjës i shërbimit psiko-social për nxënës është mesatarisht 1 me 341 nxënës, ndërkohë që ky raport ka qenë 1 me 3500, dhe sigurisht që planifikojmë të përmirësojmë edhe më shumë këtë standard por edhe paralelisht të rrisim eficiencën në punë të këtyre strukturave”, tha Manastirliu.

Për vitin shkollor 2023-2024 në nivel kombëtar, në sistemin arsimor parauniversitar, janë konstatuar dhe janë raportuar 2030 raste dhune, ku numri më i madh i rasteve ishte referuar pikërisht te punonjësit e shërbimit psiko-social, për të vijuar me raportimet e oficerëve të sigurisë, mësuesve, prindërve apo vetë nxënësit që janë bërë objekt dhune, ku per mbi 95% e rasteve jane adresuar tek familja, sherbimet sociale, policia e shtetit apo njesite e mbrojtjes se femijeve. Një nga hapat më të rëndësishëm tha Manastirliu, është hartimi i planit të ndërhyrjes në nivel klase, në nivel shkolle, përmes grupeve teknike ndërsektoriale në nivel lokal, kur flasim për raste të referuara te njësia e mbrojtjes së fëmijës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit