Zgjedhjet e 14 Majit, Celibashi: 44 kandidatë u dërguan për verifikim në Prokurori

Mos i humb

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi për Raportin Vjetor të veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë vitit 2023.

Në fjalën e tij Celibashi u shpreh se, në kuadër të përgatitjes së administrimit dhe të shpalljes së zgjedhjeve vendore të 14 Majit 2023, janë miratuar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, 852 akte nënligjore, nga të cilat 825 janë vendime, 5 udhëzime dhe 22 urdhra.

Gjithashtu shtoi ai, “janë miratuar si bashkë kompetencë me nënkomisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve kryesisht çështje që kanë të bëjnë me identifikimin elektronik, 16 akte nënligjore, prej të cilave 6 janë vendime dhe 10 janë urdhra të karakterit organizativ dhe administrativ”.

Ndërsa Komisioni Rregullator i KQZ-së ka miratuar 33 vendime në kuadër të këtij procesi tha Celibashi.

“Në përgatitjen e këtij procesi zgjedhor, KQZ rekrutoi një staf shtesë prej 352 punonjësish, të cilët ishin mbështetja e stafit të përhershëm të KQZ-së. Nga buxheti i shtetit u akorduan rreth 1.8 miliardë lekë nga fondi rezervë, kurse 800 milionë të tjera ishin për realizimin e votimit elektronik dhe iu dhanë KQZ-së nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave”, tha Celibashi.

Sa i përket listës së zgjedhësve, Celibashi u shpreh se, “KQZ realizoi procesin e mbikëqyrjes së drejtpërdrejtë të procesit të përgatitjes së listës së zgjedhësve, bazuar kjo në raportimet e dy auditëve teknicienë, të cilët në mënyrë periodike informuan KQZ-në, por dhe partitë politike mbi të gjitha aspektet e përgatitjes së listës së zgjedhësve së zgjedhjeve të shkuara”.

Celibashi nënvizoi se, aspekt tjetër i rëndësishëm i veprimtarisë së KQZ-së ka qenë procesi i monitorimit mbi raportimin e institucioneve publike dhe veprimtarinë e tyre në kuadër të këtyre zgjedhjeve.

“Sipas të dhënave që rezultojnë nga platforma përkatëse elektronike e KQZ-së janë 716 institucione publike të cilat janë të regjistruar tashmë nga 361 që kanë qenë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Kanë kryer raportime të paktën 1 herë 147 institucione, përfshihen këtu 15 institucionet raportuese, të cilat janë ministritë e linjës dhe Kryeministria, të cilat kanë raportuar 695 veprimtari në total. Janë 46 institucione raportuese bashki me një numër total raportimesh prej 2461 veprimtari të raportuara dhe 86 janë institucione të tjera, të cilët kanë raportuar në total 655 veprimtari. Në total numri i raportimeve është 3811 veprimtari, që është me herë më i lartë krahasuar me numrin e veprimtarive publike të raportuara për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021”, tha Celibashi.

“Janë ndaluar me vendim të KSHZ-së për shkelje të afatit të raportimit apo dhe për pjesëmarrje të përfaqësuesve politikë në veprimtari elektorale 37 të tilla, prej të cilave edhe pse ka pasur ndalime 5 janë zhvilluar”, tha ai.

“I kemi kërkuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve që të vendosë sanksione për rreth 24 subjekte me një masë gjobe në total prej 170 mijë lekësh. KAS ka pranuar kërkesën e KSHZ-së për vendosje sanksioni për 21 subjekte në total”, u shpreh Celibashi.

“Gjatë periudhës së zhvillimit të procesit zgjedhor, janar-maj 2023 janë administruar në total 449 denoncime për keqpërdorim të burimeve publike, mos raportim apo shkelje të rregullave në vendosjen e materiale propagandistike apo dhe sjelljen e medies në fushatën zgjedhore. Janë vendosur 64 sanksione administrative për 60 funksionarë, nga të cilët njëri ka qenë ministër, 27 kryetarë bashkie, 24 persona përgjegjës për raportimin e veprimtarive publike, 5 sekretar të përgjithshëm, 1 drejtues i një agjencie shtetërore, 3 drejtues shkollash dhe 1 drejtues i një qendre kulturore lokale”, tha Celibashi.

Sa i përket procesit të dekriminalizimit, Celibashi u shpreh se, “KQZ dërgoi për verifikim të thelluar 44 kandidatë në Prokurorinë e Përgjithshme, nga të cilët 11 kandidatë për kryetarë bashkisë dhe 33 kandidatë për anëtarë të këshillave bashkiakë. Nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme janë dërguar 11 vendime deri tani”.

Në lidhjet me procedimet penale, Celibashi tha se, “SPAK ka regjistruar në total 37 procedime penale për 12 persona të cilët gjenden nën hetim për krime zgjedhore. Janë dërguar në gjykatë me kërkesën për gjykim për 5 procedime penale me 11 persona, ndërsa në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm janë nën hetim aktualisht 5 persona. Kanë qenë në total 21 procedime penale, të cilat janë në juridiksionin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm. Janë 60 raste, të evidentuara nga Policia e Shtetit, të cilat janë referuar në organet e hetimit penal”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit