Përfaqësues të Akademisë së Shkencave munguan në mbledhjen e sotme të Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, ku ishin të ftuar në seancë dëgjimore për “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”, në lidhje me shqetësimet publike për përmbajtjen e tij.
Mungesa e tyre ka pamundësuar mbajtjen e seancës ndërsa kryetarja e komisionit, Ina Zhupa, tha se ASHSH ka detyrimin për të raportuar në Kuvendin e Shqipërisë, merr buxhetin nga ky kuvend. Sipas saj, Akademisë së Shkencave i janë dhënë miliona euro për tre projektet: Fjalori i madh i gjuhës shqipe, Enciklopedia e Shqipërisë dhe Historia e shqiptarëve.
“Është e papranueshme që Kuvendi i Shqipërisë, (Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën), e kërkon në dëgjesë me vendimmarrje unanime të të gjithë anëtarëve të tyre, dhe ASHSH nuk kthen as përgjigje, nuk sjell as material paraprak dhe nuk paraqitet në komision në ditën e caktuar nga ne”, u shpreh Ina Zhupa.
Kryetarja e komisionit kërkoi që ASHSH-së t’i jepej një mundësi tjetër duke i çuar një kërkesë ultimative, për të marrë pjesë në një tjetër datë, dhe më pas do të merren masa sipas rasteve të cilat shkojnë në proporcion me detyrat që ka kuvendi.
“Është e prapranueshme, që nga Kuvendi të merren vetëm para, por të mos jepet llogari, sepse Kuvendi është për t’i shërbyer interesit publik”, tha Zhupa, duke shtuar se ka 30-40 raste të sjella nga studiues të ndryshëm, sa i përket përmbajtjes së fjalorit.


