AAK-ja dëshiron ta marrë në parti Shpend Ahmetin

Mos i humb

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dëshiron ta ketë në radhët e saj Shpend Ahmetin, kryetarin aktual të Prishtinës. Ahmeti ndodhet në situatë aspak të lakmueshme në partinë e tij, në Lëvizjen Vetëvendosje. Këtë mundësi po përpiqet ta shfrytëzojë partia e kryeministrit Haradinaj.

Shpend Ahmeti dhe Ramush Haradinaj tradicionalisht kanë pasur raporte të mira mes vete. Madje, para krijimit të FER-it, Ahmeti kishte negociuar kalimin e tij në AAK. Blerim Kuçi, i cili thuhet se po negocion me Ahmetin, ka folur për Express-in. “Po, kemi afërsi me Ahmetin”, ka thënë ai

Deputeti i AAK-së, Blerim Kuçi, thotë se janë duke përcjellë zhvillimet brenda VV-së. Megjithëse, sipas tij, nuk i gëzohen aspak kësaj krize, AAK-ja po pret se si do të rezultojë.

“Pasi të shohim që kanë marrë ndonjë vendim, atëherë ne do të bisedojmë”, i tha Blerim Kuçi Gazeta Express përmes telefonit, i pyetur nëse AAK-ja i ka bërë ftesë Ahmetit për të aderuar.

“Me sa di unë ftesë nuk ka, por afërsi ka”, tha ai.

“Ne kemi afërsi [me Shpend Ahmetin]. Afërsi kemi, por asgjë zyrtare nuk ka”, përsëriti deputeti i AAK-së, i pyetur për negociatat mes kryetarit të kryeqytetit me partinë e kryeministrit.

Ndryshe, përplasjet të pasuara me dorëheqje në VV kanë rritur gjasat që kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, të marrë rreshtim të ri politik. AAK-ja e kryeministrit Ramush Haradinaj, sërish përmendet si opsioni më real që Ahmeti të vazhdojë rrugëtimin e tij politik.

Madje, Ahmeti ka edhe një “borxh” ndaj partisë që sot bashkë më PDK-në e Nismën drejtojnë vendin.

Ramush Haradinaj, sot kryeministër, në vitin 2016 kishte hequr dorë nga ambicia e tij për shef të ekzekutivit, vetëm që Ahmeti të kandidohet për këtë post nga blloku i asokohshëm opozitar VV-AAK-Nisma.

E pikërisht kjo kishte ndarë bllokun që shihej si shpresë për largimin e PDK-së nga pushteti një dekadë.

Dardan Molliçaj, ish-sekretar organizativ i VV-së, kishte kundërshtuar që Ahmeti të jetë kandidati konsensual për kryeministër i bllokut opozitar. Madje, këtë e kishte shprehur edhe me arrogancë e britma fyese, në një takim në oden e Haradinajve, në shkurt të vitit 2016.

Për dramën e asaj nate deri më tash kanë folur nikoqiri Ramush Haradinaj e Bilall Sherifi me të cilin Molliçaj e kishte nisur përplasjen. Por edhe vetë tashmë i dorëhequri nga VV-ja kishte dhënë versionin e tij.

I vetmi që ende nuk ka folur, as pas dy vjetësh, është Shpend Ahmeti. Mbase, tash kur Molliqaj po mundohet ta bindë atë të rreshtohet në krahun e tij kundër “babë” Albinit, Ahmeti do ta thotë fjalën e tij./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit