Duraku-Reshitaj: Sfidat e Mjedisit bëjnë të parëndësishëm kufijtë

 

 

 

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë, Sadulla Duraku, zhvilloi në Shkup një takim pune me homologen e tij kosovare, Albena Reshitaj, me të cilën ka bashkëbiseduar për çështjet mjedisore që lidhin dy shtetet fqinje.

Në konferencën për mediat pas takimit, ministri Duraku tha se Maqedoninë dhe Kosovën i lidh natyra, prandaj me mysafiren kosovare ka bashkëbiseduar për malin Sharr, i cili në pjesën e Kosovës është shpallur park nacional, duke njoftuar se po punohet që edhe pjesa e Maqedonisë të shpallet si e tillë, që do hapë rrugën për një bashkëpunim ndërkufitar turistik.

Duraku tha se janë biseduar edhe tema të tjera që janë në interesin e të dyja shteteve.

“Bashkëbiseduam edhe për çështjen e ujërave, ku lidhemi përmes lumit Lepenc, por biseduam edhe për çështjen e ajrit dhe temat tjera të cilat e prekin ministrinë e Ambientit , prandaj do të harmonizojmë politikat tona të cilat përmes një memorandumi të përbashkët do të prezantohen në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Maqedonisë dhe Kosovës, ku dhe do të bëhet nënshkrimi i tij”, tha Duraku.

Ministrja kosovare, Albena Reshitaj, nënvizoi rëndësinë që kanë ministritë e Mjedisit, për të shtuar se me një bashkëpunim të ngushtë mes Kosovës dhe Maqedonisë do të sfidojnë problemet që kanë dy shtetet, duke mbrojtur ajrin dhe tokën.

Ajo vuri theksin tek zbehja e kufijve fizik që ndajnë dy shtetet. “Çdo ditë e më shumë, ne dhe gjitha shtetet e zhvilluara po sfidohemi nga ligjet e natyrës dhe nga ndryshimet klimatike. Kjo njëherësh na bën të kuptojmë se sa të parëndësishëm janë kufijtë fizik kur është në pyetje shëndeti i qytetarëve, mirëqenia dhe cilësia e jetës së tyre. Andaj është një mision i veçantë që kemi ne të dy ministrat, që të mundohemi të ndryshojmë mjedisin për të mirën e qytetarëve tanë”, tha Reshitaj.

Siç njoftoi delegacioni kosovar, gjatë qëndrimit në Shkup, ministrja Albena Reshitaj, do të takojë edhe zëvendëskryeministrin Hazbi Lika dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi.