Gaza, basketbollistet me aftësi të kufizuara sfidojnë “pengesat”

Basketbollistet me aftësi të kufizuara në Gazën e rrethuar dëshirojnë të marrin pjesë në turne në nivel botëror dhe ta përfaqësojnë Palestinën në platformat ndërkombëtare.

Gratë palestineze, në mesin e të cilave gjenden edhe femra të reja, sfidojnë “pengesat” e tyre duke luajtur basketboll në karroca në klubet në Gaza.

Një prej këtyre basketbollisteve është edhe 25-vjeçarja Abir el-Herkeli, e cila para katër viteve ishte regjistruar në ekipin e basketbollit në karroca Klubi i Personave me Pengesa Fizike Selam.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Herkeli tregon se basketbollin e praktikon me dashuri dhe se ky sport i ka dhënë kuptim të ri jetës së saj.

“Dua të marrë pjesë në turne botërorë dhe ta dërgojmë Palestinën në platformat ndërkombëtare”, shprehet ajo.

Nga ana tjetër, Muna Hitab (49), e cila thotë se pengesat e saj nuk i merr në konsideratë, basketbollin e cilëson si “një jetë e re”, ndërsa me këtë sport merret vazhdimisht prej shtatë vitesh.

“I shoh të rinjtë teksa luajnë basketboll. Thashë më vete pse edhe unë nuk e bëj një gjë të tillë dhe në këtë mënyrë u regjistrova. Në fillim kisha mëdyshje, por nuk kisha vështirësi. Tani i kam tejkaluar këto brenga”, tha Hitab, duke folur për aventurën e saj në basketboll.

“Ëndërroj që me një ekip nga Gaza e rrethuar, të marrim pjesë pa asnjë pengesë në turnetë e basketbollit që zhvillohen në botën arabe”, shton ajo.

Ndërkohë, stërvitësja e ekipit, Hena Ebu Muajlik (31), tregon se që nga viti 2014 merret me stërvitjen e basketbollisteve me aftësi të kufizuara.

“Nuk mund të them që në fillim nuk kisha vështirësi. Personat me nevojat të posaçme kërkojnë trajtim të posaçëm dhe të ndryshëm. Natyrisht, tani kam fituar përvojë dhe kam mësuar mirë se si t’i përçoj njohuritë e mia. Punojmë dy herë në javë”, thotë Ebu Muajlik.

Ajo thotë se aktivitetet sportive janë mjet relaksues dhe psikologjik për personat me aftësi të kufizuara dhe si të tilla duhet mbështetur edhe nga shoqëria.

Ndryshe, sipas të dhënave të Entit Statistikor të Palestinës, në Bregun Perëndimor të okupuar dhe Gaza ndodhen 27 mijë persona me aftësi të kufizuara mbi moshën 18 vjeç, prej të cilëve rreth 17 mijë janë persona me aftësi të kufizuara fizike./Rtv Islam/