“Institucionet dhe qytetarët e Kosovës mirëpritën vendimin për dënimin e Mlladiçit”

Mos i humb

Pas dënimit me burg të përjetshëm për ish-komandantin serb Ratko Mlladiç, nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë, kanë reaguar edhe institucionet dhe zyrtarët e lartë në Kosovë dhe Shqipëri.

Në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës thuhet se “Qeveria dhe populli i Kosovës më këtë rast, përkujtojnë publikun botëror se regjimi i Sllobodan Millosheviçit dhe gjeneralët e tij, kanë aplikuar edhe në Kosovë të gjitha format e krimeve të përshkruara në aktakuzën kundër Mlladiçit. Serbia e Millosheviçit i ka vrarë 11 mijë civilë shqiptarë në Kosovë, ka djegur e shkatërruar 130 mijë shtëpi, ka marrë pengje lufte 4 mijë të tjerë, ka përdor si mjet lufte dhunimin seksual të mijëra grave, dhe në fund ka deportuar rreth 800 mijë qytetarë shqiptarë jashtë kufijve të Kosovës.”

“Ky verdikt duhet t’u shërbejë qeverive të rajonit për përkujtesë për ta braktisur përfundimisht dhunën në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe për të marrë kursin e pajtimit dhe njohjes e respektimit të vlerave reciproke, për t’i dhënë zemër përqafimit të vlerave të përbashkëta europiane dhe për ta inkurajuar synimin e popujve të rajonit tonë drejt integrimeve europiane dhe euro-atlantike”, thuhet në njoftim.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, në një deklaratë me shkrim publikuar nga MPJ e Kosovës në lidhje me vendimin e Tribunalit të Hagës për dënimin e Ratko Mlladiçit, është shprehur se “Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës mirëpritën vendimin e Tribunalit të Hagës, i cili e dënoi me burgim të përjetshëm ‘Kasapin e Ballkanit’, Ratko Mlladiçin, për krime lufte dhe gjenocid në Bosnjë dhe Hercegovinë.”

Në deklaratë Pacolli po ashtu ka shprehur shqetësimet për deklaratat e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, duke theksuar se deklaratat e tilla cenojnë ardhmërinë paqësore të rajonit. “Me këtë rast, jemi jashtëzakonisht të shqetësuar me deklaratën e fundit të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili në vend se të kërkojë falje për krimet brutale, që ishin rezultat i direktivave politike nga Beogradi, tenton të bëj demagogji dhe ta relativizojë një çështje kaq të ndjeshme për të gjithë popujt e rajonit, që kanë pësuar nga luftërat e fundit”, thuhet në njoftimin nga MPJ e Kosovës.

Në lidhje me këtë vendim ka reaguar edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili në një mesazh të publikuar në profilet e tij në rrjetet sociale shkruan se “Vendimi i Hagës për nënat, gratë, motrat dhe bijat e 8 mijë burrave. U deshën 20 vjet që drejtësia të vihet në vend. Ky është një ‘çlirim’, sado i vogël krahasuar me dhimbjen e shkaktuar në Srebrenicë.”

Gjykata e Hagës dënoi Ratko Mlladiçin, i njohur si “kasapi i Bosnjës”, me burg të përjetshëm për krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe shkeljet të ligjeve të luftës. Ai u shpall fajtor për dhjetë nga gjithsej 11 akuzat që gjendeshin në aktakuzë.

Ish-gjenerali serb është dënuar edhe për gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995, në të cilën ushtarët serbë vranë mbi tetë mijë meshkuj boshnjakë. Krahas gjenocidit në Srebrenicë, Mlladiç u shpall fajtor edhe për dëbim, zhdukje, robërim, vrasje, deportim dhe sulme antiligjore kundër civilëve./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit